Kryeministri japonez i tha kreut të IOC-it se organet e organizimit të Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike do të rishqyrtojnë politikën e spektatorëve nëse ka ndryshim domethënës në gjendjen me virusin COVID-19
Kreu i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach, ka kërkuar nga kryeministri japonez, Yoshihide Suga, të lejojë pjesëmarrjen e spektatorëve në Lojërat Olimpike 2020 të Tokios nëse situata e koronavirusit të ri (COVID-19) përmirësohet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gazeta japoneze ‘Kyodo News’ raportoi se kërkesa e kreut të IOC-it iu bë kryeministrit japonez në një takim të mbajtur të mërkurën.
Të ballafaquar me rastet dhe vdekjet në rritje nga pandemia COVID-19, autoritetet japoneze kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Tokio dhe në prefekturat përreth, duke mos lejuar pjesëmarrjen e spektatorëve në vend ngjarje gjatë Olimpiadës së planifikuar për t’u mbajtur nga 23 korriku deri më 8 gusht të këtij viti.
Sipas një burimi të cituar në gazetën japoneze, kryeministri japonez i tha kreut të IOC-it se organet e organizimit të Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike do të rishqyrtojnë politikën e spektatorëve nëse ka ndryshim domethënës në gjendjen me virusin COVID-19.
Më herët, IOC-i njoftoi masa të reja për të përmbajtur përhapjen e koronavirusit gjatë ceremonive të fitores.
Atletët, prezantuesit dhe vullnetarët do të mbajnë maska në çdo kohë, ndërsa medaljet dhe dhuratat do të vendosen në një tryezë ose stendë nga ku atletët do t’i marrin ato pa asnjë kontakt nga prezantuesit. Fotografitë në grupe po ashtu nuk do të lejohen në podiume.