Shefi i mbrojtjes kosovare për vizitë në Stamboll në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes

Ai në Turqi po qëndron me ftesë nga homologu turk, Hulusi Akar, ndërsa pos takimit me Akar, ministri Mehaj do të takohet edhe me homologë të tjerë nga vende të ndryshme me të cilat Kosova “është në proces të krijimit të bashkëpunimit bilateral”

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka filluar vizitën zyrare në Turqi me pjesëmarrje e tij në hapjen e Panairit të 15-të Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF) që po mbahet në Stamboll, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç ka njoftuar ministri Mehaj në rrjetet sociale, ai në Turqi po qëndron me ftesë zyrtare nga homologu turk, Hulusi Akar, ndërsa pos takimit me Akar, ministri Mehaj bashkë me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrahman Rama, do të takohen edhe me homologë të tjerë nga vende të ndryshme me të cilat Kosova “është në proces të krijimit të bashkëpunimit bilateral”.

“Gjithashtu gjatë katër ditëve të panairit do të takohemi me liderë përfaqësues të kompanive të industrisë së mbrojtjes ndër më të njohurat në botë pjesëmarrëse nga 83 shtete”, shkroi ministri Mehaj.

Ai e quajti këtë si një mundësi shumë të mirë që pala kosovare të njihet me produktet që ndërlidhen me objektivat e saj të ngritjes së aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së, në procesin e saj të tranzicionit.

Ndër panairet më të mëdhenj të industrisë së mbrojtjes në botë, panairi i 15-të IDEF po mbahet nën kujdesin e Presidencës së Turqisë dhe nën menaxhimin dhe përgjegjësinë e Fondacionit të Forcave të Armatosura Turke.

Ngjarja katër-ditore është organizuar nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare me rreth 150 vende të cilat janë ftuar për pjesëmarrje. IDEF synon të bëhet “baza tregtare e industrisë së mbrojtjes” duke regjistruar ceremoni të shumta nënshkrimi, takime dhe prezantime.

Në këtë panair e pranishme është edhe ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, e cila do të zhvillojë edhe takim me ministrin Akar, ku në emër të qeverive të të dy vendeve do të nënshkruajnë marrëveshje 5-vjeçare për bashkëpunim ushtarako-financiar.

“Marrëveshja parashikon një alokim vjetor të fondeve nga Turqia për Maqedoninë e Veriut, të cilat do të përdoren për të forcuar aftësitë luftarake, për të blerë pajisje artilerie dhe për të modernizuar ushtrinë”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut.

Kategoritë
BotaLajme