Shefi i mbrojtjes turke pritet në takim nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës

Pas takimit me ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ministri Akar është pritur në takime të ndara nga presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, i cili qëndron për vizitë në Prishtinë, është pritur në takim në Prishtinë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit me ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ministri Akar është pritur në takime të ndara nga presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti.

Siç njofton presidenca e Kosovës, në takimin me ministrin Akar presidentja Osmani ka theksuar se synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO, ndaj ka kërkuar mbështetjen turke në këtë proces.

Osmani dhe Akar kanë biseduar edhe për mundësitë për bashkëpunim ushtarak si dhe për mundësinë e furnizimit me pajisje ushtarake.

Në takim është biseduar edhe për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e arsimimit dhe trajnimit të oficerëve, nënoficerëve dhe pilotëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

“Osmani në takim me Akar ka folur edhe për situatën politike aktuale, ku ka potencuar kërcënimet dhe provokimet e vazhdueshme nga Serbia, të cilat synojnë destabilizimin e rajonit”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Ministri turk u prit nga homologu i tij kosovar me ceremoni më të lartë ushtarake. Më pas u zhvillua takimi i dy ministrave dhe takimi i delegacioneve midis dy vendeve.

Pas takimit me homologun e tij kosovar, Akar tha se duke marrë parasysh lidhjet historike marrëdhëniet midis Kosovës dhe Turqisë janë shumë të rëndësishme dhe se çështja e sovranitetit, integritetit dhe paqes në Kosovë është e rëndësishme edhe për Turqinë.

Kategoritë
LajmeVendi