Shefi i mbrojtjes turke: Retorika separatiste në Bosnjë nuk i shërben askujt

“Ftojmë palët relevante të mendojnë në mënyrë të arsyeshme dhe të veprojnë me maturi. Problemet ekzistuese dhe të mundshme mund të zgjidhen gjithashtu përmes negociatave me mjete paqësore”, tha Akar.

Rritja e fundit e retorikës separatiste në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk i shërben asnjë pale, tha ministri turk i mbrojtjes, Hulusi Akar, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne besojmë se retorika separatiste në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk i sjell dobi askujt”, tha Akar në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij boshnjak Sifet Podzhiq në kryeqytetin Sarajevë, ku udhëtoi për vizitë zyrtare.

“Ne e shohim popullin e Bosnje-Hercegovinës si tërësi”, shtoi ai.

“Ne po e ndjekim nga afër situatën. Ftojmë palët relevante të mendojnë në mënyrë të arsyeshme dhe të veprojnë me maturi. Problemet ekzistuese dhe të mundshme mund të zgjidhen gjithashtu përmes negociatave me mjete paqësore”, tha shefi i mbrojtjes turke.

Duke theksuar se Turqia qëndron afër për ofruar ndihmë, Akar tha: “Unë dua që ju të dini se ne jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë për çdo çështje, përfshirë ndërmjetësimin, kur kërkohet”.

Në fillim të vizitës së tij, Akar u prit me një ceremoni ushtarake nga ministri Podzhiq.

Mosmarrëveshja politike në Bosnjë dhe Hercegovinë

Bosnjë dhe Hercegovina është përballur me një nxitje separatiste që kur Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës së vendit, kritikoi ndryshimet ligjore që ndalojnë mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.

Dodik ka bërë thirrje që parlamenti i entitetit Republika Srpska të ndërmarrë hapa separatistë në ushtri, gjyqësor dhe sistemet e taksave nëse ndryshimet nuk anulohen.

Hapat nga entiteti serb i Bosnjës janë kritikuar ndërkombëtarisht për shkeljen e Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995 dhe minimin e kushtetutës së vendit.

Kategoritë
LajmeRajoni