Shefi i NATO-s bën thirrje për të modernizuar regjimin e kontrollit të armëve

Stoltenberg paralajmëroi se bota “me shpejtësi po bëhet më e pa parashikueshme, më konkurruese dhe më e rrezikshme”, pasi disa fuqi bërthamore po “injorojnë në mënyrë të hapur rregullat globale dhe përhapin teknologji të rrezikshme”

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u bëri thirrje aleatëve dhe partnerëve të modernizojnë regjimin e kontrollit të armëve të aleancës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në konferencën vjetore të NATO-s për kontrollin e armëve të mbajtur në Kopenhagen, Stoltenberg paralajmëroi se bota “me shpejtësi po bëhet më e pa parashikueshme, më konkurruese dhe më e rrezikshme”, pasi disa fuqi bërthamore po “injorojnë në mënyrë të hapur rregullat globale dhe përhapin teknologji të rrezikshme”.

“Rusia vazhdon të injorojë dhe të shkelë rregullat duke modernizuar arsenalin e saj me raketa të reja balistike nga ajri ose raketa lundrimi me energji bërthamore”, tha Stoltenberg.

Ai theksoi se Kina gjithashtu po zgjeron kapacitetet e saj ushtarake duke ndërtuar një numër të madh të raketave “pa asnjë kufizim dhe me mungesë të plotë të transparencës”. Ai po ashtu shprehu kritika edhe ndaj Koresë së Veriut dhe Iranit.

Stoltenberg u bëri thirrje aleatëve të ruajnë dhe të forcojnë Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (NPT), si dhe të modernizojnë të gjithë regjimin e kontrollit të armëve.

Sipas shefit të NATO-s, një regjim modern i kontrollit të armëve duhet të përfshijë më shumë vende, veçanërisht fuqinë globale, Kinën, derisa adreson armët jo-strategjike dhe llojet e reja të “teknologjive në zhvillim dhe shkatërruese, të tilla si platformat autonome dhe inteligjencën artificiale”.

Duke përmendur shkeljet e marrëveshjeve të kontrollit të armëve nga Rusia, Stoltenberg gjithashtu theksoi rëndësinë e një përgjigjeje të unifikuar dhe të fortë nëse shkelen traktatet e kontrollit të armëve.

NPT-ja, e cila është në fuqi që nga viti 1970, është një traktat kryesor ndërkombëtar që synon të parandalojë përhapjen e armëve bërthamore dhe të teknologjisë së armëve. Ajo synon të promovojë bashkëpunimin në përdorim paqësor të energjisë bërthamore. Deri më tani, gjithsej 191 vende i janë bashkuar këtij traktati.

Kategoritë
BotaLajme