Shefi i NATO-s: Në Ukrainë do të ketë “më shumë vdekje, më shumë vuajtje dhe më shumë shkatërrim”

Stoltenberg përsëriti thirrjet e NATO-s për Rusinë që të “ndalojë menjëherë këtë luftë, të tërheqë pa kushte të gjitha forcat nga Ukraina dhe të angazhohet në diplomaci të vërtetë dhe të sinqertë”

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se pret që të vijnë ditë më të këqija në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media pas takimit të jashtëzakonshëm të shefave të diplomacisë së vendeve anëtare të NATO-s, Stoltenberg paralajmëroi se “më shumë vdekje, më shumë vuajtje dhe më shumë shkatërrim do të vijnë” në luftën Rusi-Ukrainë.

Ai përsëriti thirrjet e NATO-s për Rusinë që të “ndalojë menjëherë këtë luftë, të tërheqë pa kushte të gjitha forcat nga Ukraina dhe të angazhohet në diplomaci të vërtetë dhe të sinqertë”.

Stoltenberg theksoi se marrëdhëniet e NATO-s me Rusinë “kanë ndryshuar rrënjësisht që kur vendi filloi agresionin më të keq ushtarak në Evropë për dekada”. Sipas tij, kjo lëvizje e Rusisë “synon të vendosë një normë të re në rendin botëror”.

Ai theksoi se zhvillimet e fundit çojnë një zgjedhje “nëse do të mbizotërojë demokracia apo autokracia dhe në çfarë lloj bote duam të jetojmë”.

Më 24 shkurt Rusia nisi luftën për të “çmilitarizuar” dhe “denazifikuar” Ukrainën, duke e cilësuar këtë inkursion masiv ushtarak rus një “operacion special ushtarak”.

Masa erdhi disa ditë pasi ai njohur rajonet Luhansk dhe Donetsk, dy enklava të kontrolluara nga separatistët në Ukrainën lindore, veprim që u ballafaqua me dënim ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara (OKB), që atëherë në Ukrainë të paktën 249 civilë janë vrarë dhe 553 të tjera janë plagosur.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 1 milion njerëz janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje.

Kategoritë
BotaLajme