Shefi i ‘Pfizer’ vizitë në Shqipëri, Rama: Mirënjohje që na hapët dyert në momentin më të vështirë

Shefi i kompanisë ‘Pfizer’, Albert Bourla, vizitoi sot Shqipërinë për të parë nga afër kushtet e ruajtjes së vaksinave.

Sipas njoftimit të bërë nga Edi Rama, qëllimi i vizitës së tij në vendin tonë lidhet edhe me planin ‘për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me vaksina ‘Pfizer’, në përmbushje të planit të vaksinimit anti-COVID’.

Bourla u prit nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe kryeministri Edi Rama në qendrën e vaksinimit në ‘Air Albania’ ku pa nga afër procesin e vaksinimit.
Në një deklaratë për mediat pas këtij takimi, kryeministri Rama e vlerësoi shefin e ‘Pfizer’ si mik të shqiptarëve dhe njeriun që u gjend pranë tyre, duke u hapur dyert kur gjithë bota ishte në kërkim të vaksinave anti-COVID.

“Mirënjohje pa fund për këtë ndihmë në mbrojtje të jetës së qytetarëve tanë”, u shpreh Rama, njofton Euronews Albania.

Nga ana e tij, Bourla vlerësoi pritjen e kryeministrit shqiptar, ndërsa kujtoi se kërkesa e Ramës 1 vit më parë për ta takuar personalisht e kishte impresionuar.

“Dua të falënderoj kryeministrin që më ftoi në Shqipëri. Ai është një lider jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Ballkan. Ai erdhi në Nju Jork për të folur për vaksinën, isha i surprizuar sepse asnjë nuk na vizitonte në atë kohë, pasi ishte periudhë e vështirë. Unë i thashë për telefonatë, por ai tha dua të vij vetë. Është e qartë që ai jo vetëm shqetësohet për vendin, por ka një plan për vaksinimin. Isha i lumtur të ndihmoja Shqipërinë. Jam i impresionuar me Ramën, që nga hera e parë ne jemi takuar përsëri dhe unë dua të them se s’do e harroj dhuratën që më dha, një piktura të bërë nga vetë ai kur erdhi më vizitoi për herë të parë”, tregoi shefi i ‘Pfizer’.

Kategoritë
LajmeRajoni