Shkup, mbahet marsh protestues për të drejtat e gruas

Savovska dedikuar institucioneve kompetente e lexoi vendimin e këtij marshit protestues që u organizua në mbështetje të viktimave të grupit në Telegram “Javna soba” (Dhoma publike) dhe të të gjitha viktimave të tjera të dhunës me bazë gjinore

Në organizim të Platformës për Barazi Gjinore, nën moton “Shteti që nuk vepron është shtet që përdhunon” në Shkup është mbajtur marsh për të drejtat e grave, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit fillimisht u tubuan para Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku ata brohorisnin slogane të ndryshme duke iu bërë thirrje institucioneve kompetente të mbështesin të drejtat e grave. Marshi protestues po ashtu mbante pankarta të ndryshme si “Rezistencë” dhe “Mosveprimi është bashkëpunim”.

Në fjalën e saj në fillim të marshit, drejtoresha ekzekutive e shoqatës “Aksion i përbashkët”, Marija Savovska, dedikuar institucioneve kompetente e lexoi vendimin e këtij marshit protestues që u organizua në mbështetje të viktimave të grupit në Telegram “Javna soba” (Dhoma publike) dhe të të gjitha viktimave të tjera të dhunës me bazë gjinore.

“Ata janë fajtorë për bashkëpunim në një krim, të gjitha ata që kanë pushtetin, përgjegjësinë dhe burimet për të siguruar dinjitetin, drejtësinë, sigurinë dhe mbrojtjen e sigurisë personale dhe jetës së grave dhe vajzave, të gjithë ata që janë të autorizuar të zbulojnë, parandalojnë, ndjekin penalisht dhe burgosin autorët dhe nuk e bëjnë atë”, tha Savovska.

Ndër të tjera, Platforma për Barazi Gjinore theksoi se nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Themelore Publike kërkojnë ndjekje penale për autorët e rastit “Javna soba”.

Platforma për Barazi Gjinore po ashtu kërkoi ndryshime në ligjin për policinë dhe rregulloren për mënyrën e kryerjes së punës policore me dispozita të veçanta për trajtimin e rasteve të dhunës dhe harmonizimin e tyre me Konventën për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave.

Rasti “Javna soba” doli në dritë në muajin janar të këtij viti kur disa vajza publikisht deklaruan se janë viktima të abuzimit përmes rrjeteve sociale, pasi fotografitë e tyre ishin shpërndarë në një grup të quajtur “Javna soba” në rrjetin social Telegram, ku ato u paraqitën si persona që merren me prostitucion. Në këtë rast, dy persona dyshohen për prodhimin dhe shpërndarjen e pornografisë së fëmijëve.

Kategoritë
LajmeRajoni