Shkup, mbahet protestë kundër kufizimeve për parandalimin e COVID-19

Protesta është pjesë e “Protestës Botërore për Lirinë”, e cila këtë ditë u organizua në të njëjtën kohë në shumë vende të botës, kurse në Shkup u mbajt para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Disa qindra qytetarë protestuan në Shkup me moton “Stop masave fashiste”, duke shprehur revoltën ndaj kufizimeve për parandalimin e përhapjes së koronavirusit (COVID-19), të vendosura nga autoritetet shëndetësore të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta është pjesë e “Protestës Botërore për Lirinë”, e cila këtë ditë u organizua në të njëjtën kohë në shumë vende të botës, kurse në Shkup u mbajt para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku pjesëmarrësit shprehën qëndrimet e tyre kundër masave kufizuese të paralajmëruara nga ana qeverisë, që sipas tyre, cenojnë të drejtat e punëtorëve.

Një nga pjesëmarrësit në protestë ishte një avokat, Nikolla Kimov, i cili u tha qytetarëve se “bëhet fjalë për heqje lirie dhe mohim të së drejtës për jetën sepse pavarësisht se thonë se vaksinimi nuk është i detyrueshëm, të gjitha masat e marra nga qeveria bëjnë që vaksina të jetë e detyrueshme dhe se në procedurë janë kryer vepra penale”.

“Nëse dikush mendon se vaksina është e mirë për të dhe për shëndetin e tij, kjo është e drejta e tij. Dhe ai mund ta përdorë atë të drejtë si të dojë. Mirëpo, ata që janë të bindur se nuk duhet ta marrin atë vaksinë, se nuk është e dobishme për ta dhe e rrezikshme për shëndetin e tyre, duhet të qëndrojnë të lirë në atë pozicion dhe askush nuk mund ta imponojë një gjë të tillë”, tha Kimov.

Protestuesit mbanin parulla që shkruanin: “Jo vaksinimit të detyrueshëm”, “Të vaksinuarit gjithashtu mund të infektohen”, “Ndaloni diskriminimin” dhe “Trupi im, zgjedhja ime”.

Qytetarët vazhduan protestën para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe pas mesazheve publike u shpërndanë në mënyrë paqësore.

Kujtojmë seancën e kaluar të qeverisë, një nga rekomandimet që është bërë është që të gjithë punonjësit në sektorin publik dhe në vetëqeverisjen lokale për të shkuar në punë duhet të konfirmojnë se kanë pranuar të paktën një vaksinë ose të kenë test negativ PCR që do të të jetë i vlefshëm për të paktën 72 orë, ose të dorëzojnë konfirmimin se kanë kaluar COVID-19, jo më të vjetër se 45 ditë, ose konfirmimin nga mjeku specialist se nuk mund ta marrin vaksinën.

Po ashtu u rekomandua që edhe kompanitë private t’u bashkohen këtyre masave, për të mbrojtur kapacitetet e prodhimit dhe procesin ekonomik në vend.

Kategoritë
LajmeRajoni