Shkup, protestë në mbështetje të Palestinës dhe popullit palestinez

Nën moton “Ngrite zërin e ndërgjegjes”, MATUSITEB sot para Xhamisë “Murat Pasha” në Çarshinë e Vjetër të Shkupit zhvilloi protestë në mbështetje të Palestinës dhe popullit palestinez

Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë së Veriut (MATUSITEB) protestoi sot në Shkup duke dënuar “në mënyrën më të ashpër aktet çnjerëzore dhe politikat e shtetit terrorist Izraelit” dhe u bëri thirrje të gjithë shteteve dhe popujve që të distancohen nga Izraeli dhe t’i dënojnë aktet e tyre kriminale, raporton Anadolu Agency (AA).

Nën moton “Ngrite zërin e ndërgjegjes”, MATUSITEB sot para Xhamisë “Murat Pasha” në Çarshinë e Vjetër zhvilloi protestë në mbështetje të Palestinës dhe popullit palestinez.

Kryetari i MATUSITEB-it, Hüsrev Emin, duke theksuar se me vite të tëra të drejtat e njeriut të popullit palestinez të shtypur dhe të vuajtur janë shkelur sistematikisht, tha se ky qëndrim hipokrit i bashkësisë ndërkombëtare nuk përfaqëson qëndrimin e qytetarëve të ndërgjegjshëm të Maqedonisë së Veriut.

“Ne si Lidhje e Organizatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë së Veriut (MATUSITEB) dhe qytetarë të ndershëm të Maqedonisë së Veriut në mënyrë të ashpër i dënojmë aktet çnjerëzore dhe politikat e shtetit terrorist Izraelit, dhe u bëjmë thirrje të gjithë shteteve dhe popujve që të distancohen nga Izraeli dhe t’i dënojnë aktet e tij kriminale”, theksoi Emin.

Duke theksuar se të gjitha aktet terroriste dhe politikat johumane të Izraelit duhet ashpër të dënohen nga të gjitha palët, Emin gjithashtu theskoi:

“Kohët e fundit, deklaratat fatkeqe të liderit të partisë më të madhe opozitare, ministrit të Punëve të Jashtme dhe kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilat në njëfarë mënyre mbështetën persekutimin dhe masakrën e shtetit terrorist Izraelit, i shqetësuan thellë qytetarët e ndërgjegjshëm të Maqedonisë së Veriut. I dënojmë këto deklarata të cilat nuk e pasqyrojnë qëndrimin e qytetarëve të ndërgjegjshëm të Maqedonisë së Veriut dhe kërkojmë që autoritetet menjëherë ta korrigjojnë këtë gabim historik”.

Duke theksuar se çdo ideologji e cila është në anën e okupatorit dhe persekutimit është e dënuar të zhduket, Emin tha se me çdo çmim, çdoherë do të jenë me popullin palestinez të shtypur dhe të përvuajtur.

Qytetarët mbanin pankarta me shkrim “Liri për Palestinën”, “Mos e prekni Xhaminë Al-Aksa”.

Protestuesit në protestën falën xhenaze namazin në mungesë për palestinezët që humbën jetën në sulmet izraelite.

Në protestën morën pjesë kryetari i Partisë Demokratike Turke (TDP) dhe deputeti Bejcan Eljas, deputeti i partisë Alternativa, Skender Rexhepi, kryetari i degës së Shkupit të Lëvizjes për bashkimin kombëtar të turqve (TMBH) në Shkup, Junayt Rushid, përfaqësues të një numri të madh të organizatave joqeveritare dhe shumë qytetarë.

Kategoritë
LajmeRajoni