Shpendi i rrallë në Arabinë Saudite përballet me rrezikun e zhdukjes

Ekspertët përmendin urbanizimin në zonat e tyre të habitatit si arsyen kryesore për zvogëlimin e numrit të shpendëve

Laraska e Asirit, e njohur edhe si laraska arabe, një nga zogjtë më të rrallë në botë, përballet me rrezikun e zhdukjes në Arabinë Saudite, kanë paralajmëruar autoritetet saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ahmed al-Booq, drejtori i përgjithshëm i Departamentit të Ruajtjes së Kafshëve të Egra në Qendrën Kombëtare Saudite për Kafshët e Egra, vlerëson numrin e laraskës arabe në 270.

“Ky është më i ulëti nga çdo shpend endemik në Gadishullin Arabik”, tha ai për Arab News.

Në një përpjekje për të mbrojtur shpendët e rrezikuar, Ministria saudite e Mjedisit, Ujit dhe Bujqësisë ndaloi gjuetinë e laraskës arabe dhe vendosi një gjobë prej 100.000 rijalësh sauditë (26.624 dollarë) për çdo gjuetar të këtij shpendi.

Të gjendur vetëm në rajonin jugor të Asirit, laraskat arabe kanë tipare dalluese, si zëri i tyre i bukur dhe mënyra kreative për të ndërtuar foletë e tyre.

Ekspertët përmendin urbanizimin në zonat e tyre të habitatit si arsyen kryesore për zvogëlimin e numrit të shpendëve.

Sipas al-Booq, Qendra Kombëtare për Kafshët e Egra ka nisur një program rehabilitimi në përpjekje për të përmirësuar mbarështimin e këtyre shpendëve dhe për t’i shpëtuar ato nga zhdukja.

Kategoritë
BotaLajme