Shqipëri, fillon zyrtarisht fushata për zgjedhjet parlamentare

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 25 prill, sipas një sistemi proporcional me konkurrim rajonal.

Në Shqipëri është hapur zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, raporton Anadolu Agency (AA).

Partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë (PS), e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ka hapur fushatën me një aktivitet në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, me pjesëmarrjen e kandidatëve për deputetë dhe pa pjesëmarrjen masive të qytetarëve për shkak të masave kundër pandemisë COVID-19.

Slogani i partisë në pushtet e cila kërkon një mandat të tretë qeverisës është “Shqipëria e ardhmja jonë”, ndërsa partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), ka si slogan “Shqipëria fiton”.

Kryeministri Rama në fjalimin e tij në hapje të fushatës theksoi se “mandati i tretë i Partisë Socialiste është që Shqipëria të mos kthehet dot më kurrë mbrapa”.

“Ne jemi këtu të gjithë së bashku për të respektuar me mish dhe me shpirt këtë moment ku demokracia na imponon të dalim përpara popullit. Të themi çfarë ne mendojmë se kemi bërë dhe të ndajmë me njerëzit atë qe ne besojmë se do të bëjmë”, u shpreh Rama.

Nga ana tjetër, partia opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë, e drejtuar nga Lulzim Basha, dhe parti të tjera opozitare, kanë hapur fushatën në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve.

Kreu i PD-së, Basha, në fjalimin e hapjes së fushatës tha se “shqiptarët meritojnë më shumë”.

“Të mundësojmë që më të mirët, më të ndershmit të drejtojnë fatet e vendit sepse familja jonë e madhe Shqipëria ka nevojë sot më shumë se kurrë për punë, nder dhe ndryshim rrënjësor”, u shpreh Basha.

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 25 prill. Në zgjedhje, përveç Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, do të konkurrojnë dhe disa parti të tjera dhe kandidatë të pavarur, ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në ditët në vazhdim do të publikojë listën përfundimtare të kandidateve dhe partive që konkurrojnë në zgjedhje.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, Kuvendi i Shqipërisë përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurrim rajonal dhe prag kombëtar që është 1 për qind në shkallë vendi.

Kategoritë
LajmeRajoni