Shqipëri, një avion i vogël me disa shtetas zviceranë bën ulje të detyruar në aeroport

Një avion i vogël model Beechcraft me regjistrim zviceran HB-EFH, me katër persona në bord, dy të rritur dhe dy fëmijë, të gjithë shtetas zviceranë, bëri ulje të detyruar

Një avion i vogël me disa shtetas zviceranë ka bërë ulje të detyruar në mes të pistës në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, pasi pësoi një avari në sistemin e rrotave, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës thuhet se një avion i vogël model Beechcraft me regjistrim zviceran HB-EFH, me katër persona në bord, dy të rritur dhe dy fëmijë, të gjithë shtetas zviceranë, bëri ulje të detyruar.

“Avioni ishte nisur nga Venezia, me destinacion Tiranën. Pasagjerëve u dha ndihma e parë menjëherë. Fatmirësisht nuk ka asnjë të lënduar dhe të katërt gëzojnë shëndet të plotë”, thuhet në njoftim.

Pas lajmërimit të Organit Kombëtar të Investigimit të Incidenteve Ajrore dhe kryerjes së investigimit në zonën e pistës, sipas aeroportit avioni u zhvendos nga pista.

Pas incidentit, operimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës u pezulluan për 1 orë e 45 minuta, ndërkohë kanë rifilluar përsëri.

Kategoritë
LajmeRajoni