Shqipëri: Pandemia nxit operacionet plastike me operatorë të pakualifikuar

Shumë të rinj po joshen në qendra bukurie joprofesionale dhe të pa pajisura në vend, ku pagat mesatare mujore janë rreth 500 dollarë transmeton Gazeta e Re.

Stresi pandemik, përqendrimi në fytyrë gjatë bisedave me video dhe komoditeti i fshehjes nën një maskë kanë nxitur një gjallërim të kirurgjisë kozmetike në Shqipëri, por operatorët mashtrues po vënë disa pacientë në rrezik.

Të enjten, mjekët thanë që rritja është nxitur nga kërkesa e grave, kryesisht nga të rejat.

Një grua e tillë është Ana Kela, një studente 20-vjeçare në Tiranë, e cila i kishte mbushur buzët, në muajin dhjetor.

“Sa herë që shikoja fytyrën në ekran, nuk mund të thoja as një fjalë, më kapi ankthi”, tha Kela duke parë veten gjatë orëve në internet në Universitetin e Tiranës, ku studion për ekonomi.

“Mendova se dukesha e shëmtuar, rrathë të errët nën sytë e mi, hunda ishte shumë e madhe, buzët e mia ishin shumë të holla, një fatkeqësi e vërtetë”, ka shtuar ajo.

Pas një operacioni për të rritur vëllimin e buzëve të saj, ajo është e kënaqur me rezultatin.

Operatorë të pakualifikuar

Sallone të reja po shfaqen çdo ditë me oferta për një sërë trajtimesh pa aprovim ose mbikëqyrje mjekësore, tha Dr. Monika Fida, një profesoreshë në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë.

Reklamuar në mediat sociale, ofertat me kosto të ulët janë tërheqëse në një vend ku pagat mesatare mujore kalojnë rreth 500 euro.

“Ejani si një grup prej katër vetash për të shijuar një zbritje prej më shumë se 50 përqind në heqjen e buzëve dhe ngritjen e vitheve”, lexohet në një reklamë.

“Jeta nuk është perfekte, por vetullat tuaja janë”, thotë një reklamë tjetër.

“Këto sallone përdorin pajisje që duhet të trajtohen vetëm nga specialistë dhe mjekë të licencuar”, tha Dr. Brunilda Bardhi, e cila është e specializuar në trajtimet me lazer dhe mezoterapi që forcojnë lëkurën.

Sipas sondazheve në terren të kryera nga një shoqatë e mjekëve të dermatologjisë dhe kozmetikës që Bardhi drejton, rreth 70 sallone në Tiranë kanë pajisje lazer të operuara nga personel të pakualifikuar.

Djegiet dhe plagët

Eva Kola, një studente 21-vjeçare e shkencave politike, i besoi një salloni, punën e së cilës po e ndiqte nga afër në Instagram.

Për 24 dollarë, ajo pagoi që inicialet e ish të dashurit të saj të fshiheshin nga tatuazhi i gishtit.

Por rregullimi i shpejtë nuk shkoi siç ishte planifikuar.

“Për një javë tani, jeta ime ka qenë ferr”, tha ajo, duke mbajtur lotët, në dhomën e pritjes së departamentit të dermatologjisë të Spitalit Universitar të Tiranës.

Lazeri i kalibruar keq shkaktoi një djegie të shkallës së tretë dhe një reaksion të fortë alergjik.

Ajo ka ethe dhe dhimbje të padurueshme përgjatë krahut.

“Vetëm në klinikën time, unë kam pesë deri në shtatë raste, kryesisht vajza të reja, me probleme serioze, djegie, infeksione, shenja si rezultat i procedurave të kryera në qendrat e bukurisë pa staf mjekësor profesional, tha Dr. Fida, duke treguar imazhe të pacientëve puna e të cilave shkoi keq.

Dr. Kostandin Balloma, drejtori i Qendrës Mjekësore Luis në Tiranë, vlerëson se 30 përqind e klientëve të tij janë viktima të gabimeve të bëra nga institucione jo të specializuara.

Sektori i kozmetikës në Shqipëri supozohet të rregullohet nga një ligj i vitit 2017, por mjekët thonë se është shumë e paqartë, si nuk ka operatorë specifikë që mund të kryejë trajtimet e duhura me produktet dhe pajisjet e caktuara.

“Duhet të ketë një kornizë rregullatore të rreptë ku të gjitha procedurat profesionale dhe të gjitha lidhjet në këtë zinxhir janë të detajuara qartë”, tha për AFP presidenti i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, Dr. Fatmir Brahimaj. /Gazetaere

Kategoritë
LajmeRajoni