Shqipëri, përfundon Akademia e Medias

Në mbyllje të Akademisë së Medias u mbajt leksioni i drejtorit të Akademisë së Lajmeve të Anadolu Agency, Cihangir İşbilir, i cili trajtoi temat e përdorimit të mediave sociale.

Në Shqipëri ka përfunduar Akademia e Medias e organizuar nga Instituti “Yunus Emre” në Tiranë në bashkëpunim me Anadolu Agency (AA), Ambasadën e Turqisë në Shqipëri dhe Radio Televizionin e Turqisë (TRT), ku pjesëmarrësit morën njohuri për disa tema nga specialistë të fushës së medias nga Turqia dhe Shqipëria.

Në mbyllje të saj u mbajt leksioni i drejtorit të Akademisë së Lajmeve të AA-së, Cihangir İşbilir, i cili trajtoi temat e përdorimit të mediave sociale, si dhe aspekte të tjera në lidhje me respektimin e rregullave të etikës gjatë raportimit, politikat e AA-së në lidhje me mediat sociale, infografikët dhe çështje të tjera.

Në një deklaratë për AA, İşbilir tha se për institucionin që ai përfaqëson ky aktivitet është shumë i rëndësishëm, sepse sipas tij marrëdhëniet e Turqisë dhe Shqipërisë janë të një rëndësie strategjike.

“Edhe ne kemi marrë pjesë në këtë trajnim dyjavor. Dje kemi trajtuar temat për metodat e analizës dhe kemi marrë rastin e Anadolu Agency gjatë raportimeve të lajmeve në rastet e krizave. Sot trajtojmë çështjet e përdorimit të mediave sociale dhe gjithashtu në pjesën e dytë do të kemi prezantimet e pjesëmarrësve në trajnim mbi analizat e konflikteve që ata kanë marrë”, tha İşbilir.

“Sigurisht që për ne ky aktivitet është shumë i rëndësishëm, sepse marrëdhëniet e Turqisë dhe Shqipërisë janë të një rëndësie strategjike. Edhe në të ardhmen ky trajnim do të shërbejë edhe në fushën e medias, për zhvillimin mëtejshëm mes dy vendeve tona”, theksoi İşbilir.

Sara Tujani, një nga pjesëmarrëset në trajnim, e cila ka studiuar për kinema dhe televizion në Universitetin Marmara në Stamboll dhe e cila aktualisht është regjisore dokumentarësh, për AA tha se Akademia e Medias është një eksperiencë mjaft e vlefshme.

“Kemi qenë me fat të marrim eksperiencën e ekspertëve të cilët kanë një njohje mjaft të gjerë se çfarë po ndodh në botë sot. Jam mjaft e kënaqur nga ky trajnim dhe jam e bindur që praktika dhe teoria e kombinuar bashkë, e ofruar këtu gjatë këtyre dy javëve do të më shërbejë në çfarëdo lloj aspekti të fushës së medias për të cilën unë jam e interesuar”, u shpreh Tujani.

Një tjetër pjesëmarrëse në trajnim ishte edhe Ani Kola, studente e vitit të tretë në degën gazetari dhe anglisht, në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, e cila për AA tha se trajnimi që ajo ka ndjekur ishte një shans shumë i mirë për të.

“Këto javë kaluam shumë mirë, duke bërë shumë gjëra të reja, si edhe praktikë. Mësuam për konfliktet, për gazetarët, ndryshimet midis tyre. Mësuam shumë gjëra që deri tani i kisha vetëm në teori dhe asnjëherë nuk i kisha praktikuar. Bashkuam teorinë dhe praktikën në një mënyrë shumë të përsosur dhe mësuam shumë gjëra”, theksoi Kola.

Pjesë e kursit dyjavor të zhvilluar në ambientet e Instituti “Yunus Emre” në Tiranë ishin rreth 20 pjesëmarrës, si punonjës të mediave në Shqipëri dhe studentë që kanë studiuar apo studiojnë në degë të ndryshme, ndërsa janë trajtuar tema të ndryshme në lidhje me median.

Qëllimi i këtij kursi dyjavor që organizohet për herë të dytë ishte përcjellja e gazetarisë dhe publicistikës që mbështetet në baza objektive, të besuara dhe të sigurta tek të rinjtë që studiojnë në degë të ndryshme, si në gazetari, shkenca politike, diplomaci, marrëdhëniet me publikun dhe menaxhim, si dhe çdo personi që ka interes për median.

Gjithashtu synohet dhënia e mundësisë specialistëve të fushës për të ndarë me studentët eksperiencën e tyre dhe t’iu sigurojë studentëve mundësinë për t’u informuar mbi fushën e medias.

Kategoritë
LajmeRajoni