Shqipëri, rritet në 89 numri i rasteve me koronavirus

“Deri në këto momente janë testuar 804 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitiv me COVID-19, 89 raste. Mosha mesatare e totalit të rasteve pozitive është 48 vjeç”

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se me konfirmimin e 13 rasteve të reja, numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) në Shqipëri është rritur në 89, përfshirë edhe dy personat që kanë ndërruar jetë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e ministrisë thuhet se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara pozitiv.

Sipas njoftimit, në 24 orët e fundit janë testuar 33 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 13 raste të reja me COVID-19.

“Deri në këto momente janë testuar 804 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitiv me COVID-19, 89 raste. Nga totali i rasteve të konfirmuara, 58 për qind janë meshkuj dhe 42 për qind janë femra. Mosha mesatare e totalit të rasteve pozitiv është 48 vjeç”, thuhet në njoftim.

Sa i përket shpërndarjes gjeografike të rasteve të konfirmuar pozitiv, 63 janë në Tiranë, 8 në Fier, 6 në Durrës, nga 3 në Kavajë dhe Korçë dhe nga dy raste në Lushnje, Elbasan dhe Rrogozhinë.

Më tej theksohet se 3 pacientët e parë që kanë lënë aktualisht spitalin të shëruar, duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim edhe për 14 ditë të tjera.

Kujtojmë se institucionet në Shqipëri kanë marrë masa të shumta kundër përhapjes së koronavirusit të ri, ku përveç mbylljes së institucioneve arsimore, është vendosur edhe ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private, pezullimi i aktiviteteve futbollistike dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Që nga shpërthimi në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, sëmundja, e njohur si COVID-19, ka shkaktuar mijëra të vdekur në mbarë globin. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.

Kategoritë
LajmeRajoni