Shqipëri, vazhdojnë protestat kundër rritjes së çmimeve të karburantit dhe produkteve ushqimore

Mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në protestën e organizuar në Tiranë, me thirrjen e aktivistëve të shoqërisë civile, duke kërkuar masa nga institucionet për të mos lejuar rritjen e mëtejshme të çmimeve

Në Shqipëri vazhdojnë në ditën e katërt radhazi protestat kundër rritjes së çmimeve të karburantit dhe të produkteve ushqimore, raporton Anadolu Agency(AA).

Mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në protestën e organizuar në Tiranë e cila ka zgjatur disa orë, me thirrjen e aktivistëve të shoqërisë civile, duke kërkuar masa nga institucionet për të mos lejuar rritjen e mëtejshme të çmimeve.

Protestuesit fillimisht janë mbledhur në Sheshin “Skënderbej” në kryeqytetin e vendit, për të marshuar më pas para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku aktivistët dhe qytetarët kanë bërë thirrje për moslejimin e rritjes së çmimeve.

Protesta më pas ka vazhduar para selisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ku protestuesit kanë kërkuar lirimin e qytetarëve të ndaluar në protestat e mëparshme.

Protesta kundër rritjes së çmimeve janë mbajtur gjatë ditëve të fundit edhe në qytete të tjera të vendit, si në Durrës, Shkodër, Korçë, Lushnjë, Berat dhe Lezhë, me pjesëmarrjen e qytetarëve së bashku me fermerë dhe studentë.

Në lidhje me protestat e ditëve të fundit, Policia e Shqipërisë ka arrestuar dhe proceduar penalisht dhjetëra persona, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësve të policisë”.

Në javët e fundit në Shqipëri është shënuar rritje e çmimeve të karburantit në nivel rekord, disa ditë më parë mbi 2 euro për litër, por duke pësuar përsëri ulje, si dhe rritje e çmimeve të produkteve ushqimore.

Pas rritjes së çmimeve, më 9 mars filluan protestat në Tiranë dhe qytetet e tjera të vendit, ku organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për të mos lejuar rritjen e mëtejshme të çmimeve apo edhe uljen e tyre.

Ndërkohë, autoritetet shqiptare kanë vendosur ngritjen e një Bordi Kombëtar të Administrimit të Karburantit që sipas Qeverisë së Shqipërisë do të bëjë transparencën e çmimit të karburanteve dhe do të jetë një mekanizëm për menaxhimin e të gjithë situatës.

Ky bord ka vendosur sot që deri më 15 mars çmimi i naftës do të jetë rreth 1,8 euro për litër, pastaj do të merren vendime të tjera edhe në varësi të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Gjithashtu Qeveria e Shqipërisë ka paralajmëruar se do të prezantojë “Paketën e rezistencës sociale”, në lidhje me situatën e çmimeve në vend.

Kategoritë
LajmeRajoni