Shqipëri, vetë-plagoset autori i dyshuar i vrasjes së oficerit të policisë

“Autori i ngjarjes, shtetasi Aldi Rama nuk i është përgjigjur thirrjes së policisë për t’u dorëzuar, por është vetë-plagosur me armën e tij”, thuhet në njoftimin e policisë

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ka konfirmuar se autori i dyshuar i vrasjes së oficerit të Policisë së Shqipërisë gjatë ditës së sotme është vetë-plagosur gjatë operacionit për arrestimin e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit të policisë, në lidhje me ndjekjen, lokalizmin dhe kapjen e autorit, forca të shumta të Policisë së Shqipërisë, prej disa orësh ndjekjeje me helikopter dhe nga toka, kanë bërë të mundur lokalizimin e autorit të ngjarjes.

“Forcat e Policisë kanë krijuar perimetrin e sigurisë dhe i kanë bërë thirrje autorit që të dorëzohej, por autori i ngjarjes, shtetasi Aldi Rama nuk i është përgjigjur thirrjes së policisë për t’u dorëzuar, por është vetë-plagosur me armën e tij. Aktualisht po transportohet nga forcat e policisë për në spital, në gjendje kritike për jetën”, theksohet në njoftimin e policisë.

Më tej theksohet se në vendngjarje është sekuestruar arma e krimit dhe telefoni i tij celular.

Kujtojmë se një punonjës i Policisë së Shqipërisë mbeti i vdekur pasi është hapur zjarr në drejtim të një grupi të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike në Qarkun e Lezhës.

Sipas policisë, si pasojë e të shtënave fillimisht është plagosur me armë zjarri oficeri i krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë shtetasi S. H., 44 vjeç, i cili për pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për dërgimin e tij në Spitalin Rajonal Lezhë.

Kategoritë
LajmeRajoni