Shqipëri, vritet një oficer i policisë gjatë një kontrolli kundër kultivimit të bimëve narkotike

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ka njoftuar se në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Një punonjës i policisë së Shqipërisë ka mbetur i vdekur pasi është hapur zjarr në drejtim të një grupi të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike në Qarkun e Lezhës, ndërkohë sipas policisë është identifikuar autori i krimit.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ka njoftuar se në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Sipas policisë, si pasojë e të shtënave është plagosur me armë zjarri oficeri i krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë shtetasi S. H., 44 vjeç, i cili për pasojë të plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për dërgimin e tij në Spitalin Rajonal Lezhë.

“Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën me qëllim kapjen e autorit. Në ndihmë të policisë lokale janë nisur forcat speciale, grupe të FNSH-së (Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë) dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin paraprak të policisë.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë ka konfirmuar se është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së oficerit të policisë në Komisariatin e Policisë Lezhë.

“Autori i dyshuar është shtetasi Aldo Rama, 21 vjeç, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta, i cili është larguar me automjet nga vendngjarja. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thekson se “Grupi i posaçëm hetimor po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje kriminale”.

Kategoritë
LajmeRajoni