Shqipëria dënon njohjen e pavarësisë nga Rusia të rajoneve lindore të Ukrainës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe ministrja e jashtme, Olta Xhaçka kanë dënuar njohjen nga Rusia të pavarësisë së rajoneve separatiste të Ukrainës Lindore të Donetskut dhe Luhanskut.

Meta ka shkruar në Facebook se ky akt unilateral është një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar, e marrëveshjes së Minskut, si dhe minon integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës!

“Shqipëria qëndron e bashkuar me partnerët dhe aleatët në mbështetje të Ukrainës”, ka shkruar ai.

Kurse, ministrja Xhaçka ka shkruar se Shqipëria dënon njohjen e pavarësisë nga Rusia, të rajoneve lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk.

“Kjo është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar, e marrëveshjes së Minskut si dhe cënim i integritetit territorial dhe pavarësisë së Ukrainës. Shqipëria qëndron krah aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, në mbështetje të Ukrainës”, ka shkruar ajo.

Kategoritë
BotaLajme