Shqipëria goditet nga një tërmet, dëmtohen disa banesa

Bashkia e Bulqizës ka konfirmuar se janë raportuar si të dëmtuara 14 banesa në disa njësi administrative

Shqipëria është goditur nga një tërmet me magnitudë 4,5 ballë, ndërkohë sipas të dhënave zyrtare janë dëmtuar disa banesa në njësitë administrative të Bashkisë së Bulqizës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bashkia e Bulqizës në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale ka konfirmuar se janë raportuar si të dëmtuara 14 banesa në disa njësi administrative.

“Fatmirësisht nuk ka humbje jete të qytetarëve dhe dëmtime të rënda banesash ku të kërkohet evakuimi i banorëve”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Instituti i Gjeoshkencave i Shqipërisë njoftoi sot se një tërmet me magnitudë 4,5 ballë dhe thellësi 14 kilometra u regjistrua në Bulqizë të Qarkut të Dibrës.

Sipas institutit, në këtë qark janë regjistruar edhe disa tërmete të tjerë me magnitudë më të ulët.

Tërmeti shkaktoi panik tek banorët e qytetit të Bulqizës dhe disa njësive administrative të qarkut, të cilët kanë dalë në ambient të hapur.

Kategoritë
LajmeRajoni