Shqipëria pritet të lëshojë në hapësirë satelitët e saj vitin e ardhshëm

Në një video të publikuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, konfirmohet se sateliti i parë “Albania 1” do të lëshohet në hapësirë në muajin mars të vitit të ardhshëm.

Shqipëria pritet të ketë në hapësirë satelitët e saj që nga viti i ardhshëm, konfirmohet në një video të publikuar në rrjetet sociale nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në video shfaqet biseda e kryeministrit Rama, sipas informacioneve nga Kryeministria e Shqipërisë, me një përfaqësues të kompanisë që do të mundësojë lëshimin e satelitëve.

Në video që fillimisht shfaq pamje nga lëshimi i “Spacex Falcon 9” konfirmohet se sateliti i parë “Albania 1” do të lëshohet në hapësirë në muajin mars të vitit të ardhshëm. Sateliti tjetër “Albania 2” sipas videos do të lëshohet në qershor të vitit të ardhshëm.

“Shqipëria në orbitë. E pabesueshme, por e vërtetë”, shprehet në video kryeministri Rama.

Ndërkohë, në video nuk janë dhënë më shumë detaje për vendin e lëshimit të satelitëve dhe llojin e tyre.

Kujtojmë se disa ditë më parë kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria do të ketë satelitët e saj për të forcuar kontrollin mbi të gjithë territorin e vendit.

Sipas kryeministrit Rama, përdorimi i tyre për sa i përket Shqipërisë do të jetë një përdorim për çështje që kanë të bëjnë me punët civile të vendit.

Kategoritë
LajmeRajoni