Shqiprim Arifi zgjidhet kryetar i ri i Komunës së Preshevës pas shkarkimit të Ardita Sinanit

Për kryetarin e ri të kësaj komune, Arifin, kjo është hera e dytë që vjen në pozitën e kryetarit, pas fitores që ai pati në zgjedhjet e prillit 2016

Shqiprim Arifi nga Alternativa për Ndryshim është zgjedhur kryetar i ri i Preshevës, pas shkarkimit të kryetares së deritanishme të kësaj komune, Ardita Sinanit, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të zhvilluar me këtë qëllim, transmeton Anadolu Agency (AA).

Arifi ka marrë besimin e 20 këshilltarëve komunalë të Preshevës, ndërsa më parë me numrin e njëjtë të votave Sinani u shkarkua nga pozita e kryetares.

Sinani pas shkarkimit të saj duke falënderuar të gjithë ata që e kanë përkrahur në rrugëtimin e saj, tha se do të punojë për përmirësimin e politikës shqiptare në Luginë.

“Faleminderit të gjithëve për përkrahjen. Në Luginë, në Kosovë, në Shqipëri, në Mërgatë. Bashkërisht do ta përmirësojmë degradimin e politikës shqiptare në Luginën e Preshevës”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Shkarkimi i Sinanit ndodhi në ditën kur vizitoi Kosovën, së bashku me përfaqësues të tjerë politikë të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Këtë të dielë, ajo kërkoi nga kryetari i Kuvendit të Preshevës, Sami Salihu, ta shtyjë seancën e Kuvendit Komunal ku do të shqyrtohej shkarkimi i saj, në mënyrë që të realizojë vizitën në Kosovë, gjë që e bëri.

Me 20 vota për, asnjë kundër dhe 18 fletëvotime të papërdorura, Kuvendi Komunal e shkarkoi kryetaren e cila kishte mandat dyvjeçar, por nuk arriti të qëndronte në këtë post as një vit.

Sinani u shkarkua nga pozita e kryetares së Preshevës, pasi partnerët e koalicionit nga radhët e Lëvizjes për Reforma nuk patën vullnet ta vazhdojnë koalicionin, pa përmendur arsye specifike për largimin e tyre nga kryetarja Sinani dhe bashkimin me partinë e kryetarit nga Alternativa për Ndryshim.

Sinani është zgjedhur në krye të Preshevës më 21 maj të vitit 2021, si pjesë e Partisë për Veprim Demokratik.

Për kryetarin e ri të kësaj komune, Arifin, kjo është hera e dytë që vjen në pozitën e kryetarit, pas fitores që ai pati në zgjedhjet e prillit 2016.

Kategoritë
LajmeRajoni