Shtetasi irakian arrestohet për komplot për të vrarë ish-presidentin George W. Bush

Një shtetas irakian që jeton në Columbus, Ohio, u arrestua të martën dhe përballet me akuza në lidhje me një komplot të dyshuar për të vrarë ish-presidentin George W. Bush, njoftoi Departamenti i Drejtësisë i SHBA.

Shihab Ahmed Shihab Shihab është akuzuar për ndihmë dhe nxitje në tentativën e vrasjes së  ish-zyrtarit të Shteteve të Bashkuara, si dhe për një krim emigracioni për përpjekjen e tij të supozuar për të dërguar ilegalisht shtetas të huaj në Shtetet e Bashkuara.

Sipas Departamentit të Drejtësisë, Shihab dyshohet se kishte planifikuar të kontrabandonte katër shtetas irakianë si pjesë e komplotit.

“Ish presidenti Bush ka të gjithë besimin në Shërbimin Sekret të Shteteve të Bashkuara dhe komunitetet tona të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës,” tha në një deklaratë shefi i shtabit të Bushit Freddy Ford.

FBI e zbuloi komplotin përmes informatorëve konfidencialë, njëri prej të cilëve regjistroi diskutime rreth komplotit të vrasjes me Shihabin në takimet e fundit të vitit të kaluar dhe gjatë pranverës.

Gjatë takimit të nëntorit, Shihab dyshohet se i kishte thënë një informatori të FBI-së se “ata donin të vrisnin ish-presidentin Bush sepse mendonin se ai ishte përgjegjës për vrasjen e shumë irakianëve dhe copëtimin e të gjithë vendit të Irakut”.

Kategoritë
BotaLajme