Shtrenjtimi i biletave të avio-kompanive: Ish-kryetari i Autoritetit të Konkurrencës thotë se mund të ketë shkelje ligjore

Ish-kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK), Valon Prestreshi, ka folur rreth shtrenjtimit të biletave të avio-kompanive, që sjellin udhëtarë nga vendet e Europës për në Kosovë dhe anasjelltas. Sipas tij nëse ky shtrenjtim ka ndodhur me marrëveshje të kompanive, atëherë kjo është shkelje ligjore.

Javëve të fundit janë rritur dukshëm çmimet e biletave të aeroplanëve që sjellin udhëtarë për në Kosovë.

Për rritjen e çmimeve të këtyre biletave, janë ankuar edhe mërgimtarët të cilët jetojnë në Zvicër, Gjermani e shtete të tjera perëndimore.

Lidhur me këtë, Metro ka kontaktuar ish-kryetarin e AKK’së, Valon Prestreshi.

Ai në cilësinë e ish-kryetarit ka thënë se Autoriteti i Konkurrencës e njeh shumë funksionalizimin e këtij tregu dhe mënyrën si caktohen këto çmime.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, shumë mirë e njeh funksionalizimin e këtij tregu dhe mënyrën e caktimit të çmimeve të kompanive. AKK sigurisht që ka informacione për çmimet e biletave, por nuk vepron me eufori, derisa sa ti siguron informatat e sakta”, ka thënë Prestreshi për Metron.

Në këtë prononcim ai është pyetur se a ka pasur monitorim të mëhershëm për çmimet e këtyre biletave të avio-kompanive.

Prestreshi ka thënë se ka pasur monitorim edhe gjatë vitit të kaluar.

“Sigurisht që ka pasur, dhe atë gjatë vitit te kaluar. Ne kemi arritur që t’i parandalojmë trendët e rritjes se çmimeve vitin e kaluar, duke i inspektuar dhe monitoruar kompanitë në mënyrë rigoroze. Duke i obliguar ato që qarkullimin e tyre javor ta raportojnë në AKK”, është shprehur ai në këtë prononcim për Metron.

Tutje Prestreshi ka treguar edhe se cilat mund të jenë arsyet se pse po rriten këto çmime.

“Po nga këndvështrimi ekonomik, rritja e biletave është bërë për shkak të ofertës dhe kërkesës. Kemi një kërkesë të lartë, dhe çmimet mund të rriten bazuar në këtë ekuacion ekonomik. Unë drojën apo frikën e kam, mos vallë te gjitha kompanitë janë marr vesh për ngritje te çmimit në mënyrë te bashkërenduar dhe të njëtrajtshme, e qe nëse ka ndodh kjo, atëherë është shkelje ligjore”, ka thënë në fund ai.

Kategoritë
LajmeVendi