Shtypi grek: Vizita e Kryeministrit Micotaqis në Stamboll e kapërceu të pritshmen

Mediat greke shkruajnë se takimi i djeshëm në Stamboll ndërmjet shefit të Athinës zyrtare, Qiriakos Micotaqis dhe Presidentit Recep Tayyip Erdogan e ka kapërcyer të pritshmen.

Gazeta “Ta Nea”, përmes artikullit të titulluar “Dialog me ardhmëri”, komenton se kontaktet e Kryeministrit Micotaqis në Stamboll rezultuan “një vizitë që e kapërceu të pritshmen”.

Ajo vë në pah se takimi i Micotaqisit me Erdoganin “u zhvillua në një klimë më të mirë sesa ajo që pritej”.

Ndërsa e përditshmja “Eleftheros Typos”, në lajmin e saj me titullin “Hapa pozitive”, potencon se delegacionet e të dyja vendeve mund të takohen në prill për Masat e Ndërtimit të Besimit dhe Këshilli i Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë mund të mblidhet sërish në vjeshtë, në qytetin grek të Selanikut, nëse ruhet kjo atmosferë pozitive.

Pasi tërhiqet vëmendja se pala greke u largua nga Stambolli me përshtypjen që Micotaqisi dhe Erdogani u takuan si dy aleatë pas një kohe të gjatë, në detaje të lajmit shkruhet se “një theks i veçantë u vu mbi marrëdhëniet ekonomike dhe agjendën pozitive mes dy vendeve, përfshi këtu edhe çështjen e energjisë”.

Ditorja “Kathimerini” nënvizon nga ana e saj dobinë e kanaleve të hapura të komunikimit.

“Pavarësisht mosmarrëveshjeve, ka një hapësirë të madhe përmirësimi në marrëdhëniet dypalëshe. Nga kjo do të përfitojnë jo vetëm Greqia e Turqia, por edhe i gjithë rajoni i Mesdheut Lindor”, vlerëson ajo.

Kategoritë
BotaLajme