Shtypi izraelit e përshkroi vizitën e presidentit izraelit në Ankara si “historike”

Shtypi izraelit takimin e djeshëm të presidentit izraelit, Isaac Herzog me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan në Ankara e cilësoi si një “pikë kthese” dhe “historike”

Shtypi izraelit takimin e djeshëm të presidentit izraelit, Isaac Herzog me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan në Ankara e cilësoi si një “pikë kthese” dhe “historike”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shtypi izraelit i cili ndoqi nga afër takimet e Herzog-ut në Ankara, që është vizita e parë e nivelit të lartë nga Izraeli në Turqi që nga viti 2008, përcolli për audiencën e tij ceremoninë e mirëseardhjes të mbajtur në Kompleksin Presidencial për Herzogun me transmetim të drejtpërdrejt.

Lidhur me vizitën shtypi izraelit e përdori termin “historike” dhe “pikë kthese në marrëdhëniet e tyre”.

Gazeta “Haaretz” doli me titullin “Samiti historik në Ankara: përkrah presidentit izraelit Herzog, Erdoğan tha se ‘vizita do të jetë fillimi i një epoke të re'”. Gazeta raportoi se Herzog tha se “marrëdhëniet mes dy vendeve do të ndërtohen në respekt të ndërsjellë”, dhe informoi se ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu do të vizitojë Izraelin.

Gazeta “Times of Israel” doli me titullin “Erdoğan, i cili priti Herzog-un gjatë vizitës së tij historike, shënoi një ‘pikë kthese’ në marrëdhëniet” dhe shtoi: “Derisa Turqia dhe Izraeli po përpiqen të rinovojnë marrëdhëniet e tyre, presidenti izraelit dha mesazhin e një bote ‘më të sigurt dhe të qëndrueshme’ në Ankara. Himni kombëtar izraelit u intonua në Ankara për herë të parë që nga viti 2008”.

Gazeta në gjuhën hebraike “Yedioth Ahranoth” doli me titullin: “Presidenti izraelit u prit me një roje ceremoniale në Ankara” dhe tha se ishte hera e parë që një figurë e nivelit të lartë nga Izraeli viziton Turqinë që nga viti 2008 dhe se për këtë është mbajtur një ceremoni shtetërore. Gazeta theksoi se Herzog para kësaj vizite ka deklaruar: “Ne kemi një dialog. Nuk do mund të biem dakord për gjithçka. Ne do të përpiqemi të rindërtojmë marrëdhëniet tona me kujdes”.

Kanali televiziv izraelit në gjuhën angleze “i24” publikoi deklaratat e presidentit Erdoğan në faqen e tij të internetit. “i24” fjalët e Erdoğan-it i publikoi kështu: “Erdoğan: Zhvillimi i marrëdhënieve me Izraelin do të kontribuojë në stabilitetin rajonal”.

Kategoritë
BotaLajme