Shumica e ekipeve elitare të futbollit kosovar po i kryejnë stërvitjet në Turqi

Pas Gjilanit, Dritës, Ballkanit, Prishtinës, Malishevës dhe Dukagjinit të cilat veçse ndodhen aktualisht në Turqi, edhe Llapi e Ulpiana kanë udhëtuar mëngjesin e sotëm drejtë qytetit bregdetar turk Antalya.

Tetë ekipe nga 10 gjithsej të Superligës së Kosovës në futboll, fazën përgatitore për sezonin e ri pranveror kanë zgjedhur ta kryejnë në qytetin Antalya të Republikës së Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këto ekipe, synojnë që përmes kushteve të përshtatshme dhe motit të favorshëm në Turqi, të përgatiten sa më mirë për të arritur synimet për sezonin e ri.

Pas Gjilanit, Dritës, Ballkanit, Prishtinës, Malishevës dhe Dukagjinit të cilat veçse ndodhen aktualisht në Turqi, edhe Llapi e Ulpiana kanë udhëtuar mëngjesin e sotëm drejt qytetit bregdetar turk, të njohur për turizmin shumë të zhvilluar.

Vetëm dy ekipe, Drenica dhe Feronikeli nuk kanë shkuar në Turqi. Drenica po e kryen fazën përgatitore në Shqipëri ndërsa Feronikeli po përgatitet në Kosovë.

Shumica e ekipeve do të qëndrojnë për rreth dy javë në Antalya, ku edhe do të zhvillojnë ndeshje miqësore. Zhvillimi i miqësoreve është konsideruar nga ekipet kosovare si anët më të forta të përgatitjeve në Turqi, meqë shumica prej këtyre ndeshjeve, përballin ekipet kosovare me ato të Superligës së Turqisë dhe disa vendeve të tjera si të Rusisë, Ukrainës e Polonisë.

Më herët janë zhvilluar ndeshje si Drita-Antalyaspor, Ballkani me ekipin Vorskla të Ukrainës e të tjera.

Ekipet kosovare kanë parapëlqyer tash e disa vite që stërvitjet t’i kryejnë në Turqi, por deri më tash numri prej 8 ekipeve që kanë shkuar atje për përgatitje shënon rekord.

Gjatë stinorit të kaluar në Superligën e Kosovës në futboll, Gjilani u shpall kampion, pasuar nga Drita që zuri vendin e dytë dhe Ballkani në të tretin. Të tri ekipet përfunduan stinorin me vetëm nga 1 pikë diferencë ndërmjet tyre.

Kategoritë
Sport