Si mund të ndikojë familja në sjelljet devijuese të adoleshentëve?

Shkruan Besë Krasniqi ;

Prindërit janë model për fëmijët e tyre. Hulumtimet tregojnë që fëmijët janë të prirur të ndjekin modelin eprindërve. Andaj nëse prindërit sillen në mënyrë negative, ky lloj qëndrimi mund të ndiqet edhe nga fëmijët. Pra, ndikimi i prindërve në raport me sjelljet e fëmijës është mjaft i madh. Qysh nga lindja prindërit çdo ditë ngapak e formojnë personalitetin e fëmijës. Sipas disa studimeve tregohet që përkrahja e fëmijës në mënyra të ndryshme si lavdërimi për sukseset, inkurajimi për të ecur përpara, dhe të mënyra të tjera që shfaqin vlerësim dhe dashuri nga ana e familjes ndikon në ndërtimin e personalitetit të fëmijës duke i siguruar kontrollin mbi vetveten.

Në këtë mënyrë, ndërtimi i vet-kontrollit ndikon në parandalimin e sjelljeve devijuese që mund të ketë një fëmijë në moshën e adoleshencës. Për t’i parandaluar sjelljet devijuese duhet të bëhet monitorimi, disciplina efektive dhe teknikat e zgjidhjes së problemeve (Crosswhite dhe Kerpelman, 2008). Andaj, prindërit duhet të monitorojnë fëmijën, ku është, në shoqërinë e kujt është, dhe çfarë bën në kohën e lirë. Shoqëria jo e mirë, ka ndikim të madh në sjelljet devijuese të adoleshentëve.

Komunikimi me fëmijët është një gjë shumë e rëndësishme, dhe komunikimi me ta duhet të jetë i shpeshtë sidomos në moshën e adoleshencës, që të krijohet besim i ndërsjelltë, sepse mungesa e komunikimit sjellë refuzim të marrjes së përgjegjësive, dhe rrit nivelin e shqetësimit të tyre të cilin mund ta shfaqin në situata me shokët dhe bashkëmoshatarët.

Prindër të dashur, Gjeni kohë dhe bisedoni rreth çdo gjëje me fëmijët tuaj adoleshentë, ata kanë nevojë të diskutojnë me dikë që ia do të mirën dhe nuk i paragjykon, por i këshillon duke i ofruar argumente të forta dhe bindëse në çdo diskutim. Kjo do të parandalojë shumë veprime të gabuara, dhe do të sjellë një rezultat pozitiv në të arriturat e tyre.

Besë Krasniqi
MA Edukim Inkluziv


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONE