Sicilia e gjunjëzuar nga moti i keq, autoritetet thirrje qytetarëve të mos dalin nga shtëpia

Moti i keq vijon të krijojë kaos në Sicili, ku pjesa më e madhe e rrugëve gjenden nën ujë si pasojë e reshjeve të dendura.  Ekipet e kërkim shpëtimit po punojnë prej ditësh pa pushim. Në Sicili moti i keq ka shkaktuar kaos.

Cikloni Apolo po shkatërron zonën lindore të ishullit ku mbrojtja civile rajonale ka dhënë alarmin e kuq. Është një situatë emergjente, sidomos në Sirakuzë dhe Katania. Një stuhi që ka shkaktuar dy viktima deri tani. Në territorin e Augustës 80 familje janë totalisht të izoluara për shkak të nivelit të lartë të ujit. Hyrjet në qytet janë totalisht nën ujë. Kryebashkiaku Di Mare bëri të ditur se vetëm autobusët mund të lëvizin.

Zjarrfikësit po ndihmohen nga vullnetarët e mbrojtjes civile. Kryebashkaiku i Augustës shpreh shqetësim dhe për dëmet materiale të shkaktuara nga cikloni. Ai tha se kur emergjenca të ketë përfunduar, duhet të kuptohen kushtet në të cilat ndodhet qyteti, dhe prioritet do të jetë gjendja e shkollave.

Janë të shumta rrugët e përmbytura nga uji, shtëpitë dhe dyqanet të cilave nuk mund t’u afrohesh. Janë ndërprerë lidhjet mes Katanias dhe Mesinës. Reshje, stuhi të forta dhe erëra me shpejtësi të lartë kanë shkaktuar përmbytje. Autoritetet vendore përsërisin apelet për banorët, duke i thënë të mos dalin nga shtëpitë, sidomos në zonat më të prekura. Sipas meteorologëve pritet që të shtunën të nisë dhe përmirësimi i motit.

Kategoritë
BotaLajme