Sindikatat i japin një javë afat Qeverisë për realizimin e kërkesave të tyre – paralajmërojnë veprime radikale

Kryesia e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka njoftuar se në takimin e mbajtur sot është vendosur që t’i jepet mundësi dialogut me Qeverinë për arritjen e një marrëveshje lidhur me kërkesat e tyre.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e BSPK-së, Qeveria e Kosovës do të ketë afat deri më 28 prill për t’i realizuar kërkesat e sindikatave – datë kjo kur kryesia e BSPK-së do të ketë takimin e ardhshëm.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës informon anëtarësinë sindikale se Kryesia e BSPK-së pas një diskutimi të gjerë e duke pasur parasysh se ka filluar dialogu me kryeministrin Albin Kurti, dhe deklarimit të tij se kërkesat sindikale do të shqyrtohen me përgjegjësit qeveritarë dhe se për to do të informohet BSPK për realizimin e kërkesave te pareshtura në takimin e radhës i cili pritet që së shpejti të thirret nga kryeministri, mori vendim që të i jepet mundësi dialogut duke tentuar që të arrihet marrëveshje me dialog duke prolonguar veprimeve sindikale deri në takimin e ardhshëm të Kryesisë Ekzekutive të BSPK që do të mbahet me datën 28 prill 2022”, thuhet në reagimin e tyre.

Kërkesat e sindikatave për të cilat kanë protestuar edhe më 8 prillit 2022, janë vazhdimi i pagesës prej 100 euro për çdo muaj deri sa të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave në të cilin kërkohet të merren parasysh propozimet e Federatave Sindikale anëtare të BSPK-së, fillimi i zbatimit të ligjit për sigurimin shëndetësor, plotësim-ndryshimi i ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.

BSPK-ja thotë se pret nga Qeveria që “të merret seriozisht me kërkesat e anëtarësisë sindikale”

Kategoritë
LajmeVendi