SIPRI: Turqia rriti eksportet e armëve me 30% dhe reduktoi importet me 59% në periudhën 2016-2020

Turqia ka rritur me 30% eksportet e armëve dhe ka reduktuar me 59% importet e tyre gjatë 5-vjeçarit të fundit, sipas raportit të SIPRI-t.

Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI) publikoi të hënën raportin që përfshin informacione mbi shitjet ndërkombëtare të armëve për periudhën 2016-2020.

Sipas raportit, Turqia ka rritur me 30% eksportet e armëve dhe ka reduktuar me 59% importet e tyre në harkun kohor 5-vjeçar që mbulon vitet 2016-2020, krahasuar me periudhën nga vitit 2011 deri në 2015-n.

Në vendin e 14-të mes shteteve që eksportojnë më shumë armë gjatë periudhës 2015-2019, Turqia ngjiti një shkallë duke u renditur e 13-ta në 5-vjeçarin pasardhës 2016-2020.

Kurse për sa i takon importeve të armëve, Turqia ra në vendin e 20-të, nga i 15-ti që ishte më parë gjatë të njëjtave periudha.

Ajo çfarë spikati më tepër ishte ndryshimi drastik në importet e armëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Importet e bëra nga Turqia në këtë fushë nga SHBA-ja pësuan një rënie me 81% gjatë periudhës 2016-2020, krahasuar me 5-vjeçarin 2011-2015. Gjatë këtij harku kohor, Turqia ra nga vendi i 3-të në të 19-in mes shteteve që importojnë armë nga SHBA-ja.

Dr. Ismail Demir, president i Departamentit të Industrisë së Mbrojtjes (SSB) së Turqisë, bëri një vlerësim lidhur me raportin e SIPRI-t.

“Eksportet e industrisë së mbrojtjes po rriten dhe vartësia nga jashtë po ulet çdo ditë e më shumë. Sot, platformat që ne prodhojmë me kapacitete tërësisht vendase dhe kombëtare, kanë filluar të bëjnë zë dhe të mahnitin nëpër botë. Nën koordinimin e Departamentit të Industrisë së Mbrojtjes dhe së bashku me të gjithë partnerët tanë, ne do të vazhdojmë punën me të gjitha forcat tona për më të mirën e mundshme”, deklaroi ai mes të tjerash.

Nga ana tjetër, Transferimet e mëdha ndërkombëtare të armëve mbetën të qëndrueshme gjatë dekadës së fundit, përsëri sipas të dhënave të publikuara nga instituti me seli në Suedi.

“Për herë të parë që nga periudha 2001-2005, vëllimi i dërgesave të armëve kryesore midis vendeve nuk u rrit midis viteve 2011-15 dhe 2016-20”, thuhet në raportin e SIPRI-t.

“Megjithatë transferimet ndërkombëtare të armëve mbeten afër nivelit më të lartë që nga fundi i luftës së ftohtë”, shton raporti.

Duke theksuar se ka pasur “rritje të konsiderueshme” të transferimeve nga SHBA-ja, Franca dhe Gjermania, tre nga pesë eksportuesit kryesorë të armëve në botë, në raport theksohet se këto “ishin kompensuar kryesisht” nga rënia e eksporteve të armëve ruse dhe kineze.

Raportit bën me dije gjithashtu se importet e armëve në Lindjen e Mesme shënuan rritje me 25% gjatë kësaj periudhe. Kjo rritje kryesohet nga Arabia Saudite që i shtoi blerjet e saj të armëve me 61%, Egjipti me 136% dhe Katari me 361%.

Pieter Wezeman, studiues i Programit të Shpenzimeve të Armëve dhe Ushtrisë në SIPRI, deklaroi se është shumë herët të thuhet nëse ka përfunduar apo jo periudha e rritjes së shpejtë të transferimeve të armëve në dy dekadat e fundit.

Wezeman vuri në pah gjithashtu ndikimin ekonomik të pandemisë COVID-19, e cila mund të shohë disa vende “të rivlerësojnë importet e tyre të armëve në vitet e ardhshme”.

“Sidoqoftë, në të njëjtën kohë, edhe pse në kulmin e pandemisë në vitin 2020, disa vende nënshkruan kontrata të mëdha për armë”, shtoi ai.

Raporti i SIPRI-t tërheq vëmendjen se Azia dhe Oqeania ishin rajonet me importonin më të madh të armëve, me 42% të transferimeve globale të armëve në periudhën 2016-2020.

“India, Australia, Kina, Koreja e Jugut dhe Pakistani ishin importuesit më të mëdhenj në rajon”, sipas raportit.

Ai shton se eksportet e armëve të Britanisë së Madhe kishin rënë me 27% në periudhat 2011-15 dhe 2016-20, ndërsa rikujton se Britania përbënte 3,3% të eksporteve totale të armëve në 5-vjeçarin 2016-2020.

Kategoritë
BotaLajme