Situata bëhet serioze: Berlini zyrtar u kërkon gjermanëve që ta lëshojnë Ukrainën

Zyra e Jashtme Federale e Gjermanisë e ka bërë përditësimin e udhëzimeve të udhëtimit dhe sigurisë, duke lëshuar paralajmërim për gjermanët që ndodhen në Ukrainë dhe duke u kërkuar që ta shqyrtojnë largimin nga ky shtet.

Në listën e udhëzimeve të këtij institucioni gjerman thuhet në Ukrainën lindore kanë ndodhur sulme dhe rrëmbime, përfshirë gazetarët e huaj dhe vëzhguesit ndërkombëtarë dhe se ky rrezik nuk mund të përjashtohet as në pjesën tjera të vendit, shkruan Gazeta Express.

“Zonat që nuk kontrollohen nga qeveria ukrainase janë subjekt i një regjimi me qasje të posaçme sipas ligjit ukrainas. Mbrojtja konsullore tash për tash nuk mund t’u ofrohet shtetasve gjermanë atje”, thuhet në udhëzime.

Në uebfaqen e Zyrës së Jashtme Federale gjithashtu paralajmërohet për rrezikun nga prania e minave dhe e municionit të pashpërthyer në të ashtuquajturën “linjë e kontaktit” në lindje të Ukrainës, ku thuhet se luftimet shpërthejnë përditë.

Shqetësimi për gjendjen në Ukrainë është shtuar pas publikimit të imazheve satelitore nga një kompani amerikane, e cila ka thënë se Rusia e ka shtuar grumbullimin e trupave afër kufirit, dhe pas paralajmërimit të një zyrtari të lartë të Shteteve të Bashkuara se Rusia së shpejti mund të nisë sulm kundër Ukrainës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u ka bërë thirrje amerikanëve në Ukrainë që të largohen menjëherë nga ky shtet. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Britania e Madhe për shtetasit e saj.

Dy burime diplomatike i thanë të shtunën agjencisë “Reuters” se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur që stafi amerikan në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë – OSBE – të tërhiqet menjëherë nga Ukraina, pas frikës për pushtim të mundshëm nga Rusia.

Për më tepër, dy burime i thanë agjencisë “Reuters” se Britania e Madhe ka vendosur që t’i zhvendosë pjesëtarët e saj të OSBE-së nga rajonet e kontrolluara nga rebelët në Ukrainë për t’i dërguar në zonën e kontrolluar nga forcat qeveritare ukrainase.

Kategoritë
BotaLajme