Situatë e qetë në veri të Kosovës, marrëveshja për targa me Serbinë ka filluar së zbatuari

Në Jarinjë, aty ku deri të shtunën ishin barrikadat e vendosura nga serbë lokalë në shenjë proteste për shkak të vendosjes nga Qeveria e Kosovës të reciprocitetit të targave me Serbinë, tashmë po qëndrojnë pjesëtarë të KFOR-it

Në pikën kufitare në Jarinjë, ashtu sikurse në pikat tjera kufitare të Kosovës me Serbinë, ka filluar së zbatuari aplikimi i regjimit të letrave ngjitëse (mbulimin e simboleve shtetërore në targa) gjatë hyrjes dhe qarkullimit tek shteti tjetër duke e larguar përdorimin e targave të përkohshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Jarinjë, aty ku deri të shtunën ishin barrikadat e vendosura nga serbë lokalë në shenjë proteste për shkak të vendosjes nga Qeveria e Kosovës të reciprocitetit të targave me Serbinë, tashmë po qëndrojnë pjesëtarë të KFOR-it dhe situata është e qetë.

Në këtë pikë kufitare, pritjet nga Serbia për të hyrë në Kosovë zgjasin për rreth dy orë, ndërsa vetëm pak minuta u duhet të presin atyre që nga Kosova shkojnë për në Serbi.

Pikën kufitare në Jarinjë e vizitoi edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se deri më tani marrëveshja e 30 shtatorit e arritur në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), po zbatohet pa asnjë problem.

“Tashmë është dita e parë kur kemi filluar implementimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel. Edhe pika e dytë e kësaj marrëveshjeje është duke u zbatuar me përpikëri. Çdo veturë që futet në Republikën e Kosovës dhe është e emetuar në Republikën e Serbisë i nënshtrohet regjimit të stikersave, ashtu siç edhe veturat e Republikës së Kosovës kur të kalojnë andej në Serbi”, tha Sveçla.

Sveçla vizitoi edhe qendrën e policisë kufitare në Jarinjë e cila ndodhet rreth 500 metra larg pikës kufitare, ndërsa tha se ditët në vijim do të ketë investime në këtë qendër e cila nuk është në gjendje të duhur.

Policia e Kosovës po ashtu ka bërë të ditur mëngjesin e sotëm se si institucion i zbatimit të ligjit, ka bërë përgatitjet e nevojshme për implementim dhe zbatim të vendimit i cili i referohet marrëveshjes së arritur në Bruksel.

“Ashtu siç është përcaktuar me marrëveshje, zbatimi ka filluar në nivel vendi, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, pasi me kohë janë bërë përgatitjet si në aspektin e angazhimit të resurseve njerëzore, po ashtu edhe të atyre logjistike, në mënyrë që t’u mundësohet qytetarëve pajisja më e shpejtë me targa të përkohshme në formë të stikersave dhe mundësia e qarkullimit dhe lëvizjes së lirë”, njoftoi policia.

Qytetarëve të Kosovës në 10 vjetët e fundit iu është dashur të paguajnë për targat e përkohshme dhe të heqin targat e tyre “RKS” për të qarkulluar në territorin e Serbisë. Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës filloi të aplikonte të njëjtën masë për automjetet nga Serbia, duke shkaktuar reagime nga popullata serbe.

Nga 15 shtatori në Kosovë, që kur skadoi marrëveshja pesëvjeçare e Brukselit, targat “KS” nuk janë më të vlefshme. Gjithashtu, që nga viti 2011 kur u arrit marrëveshje për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë, targat me shkurtesa të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga Serbia nuk vlejnë në Kosovë, por ato u lejuan në veri të vendit ku shumica e popullatës i përket etnitetit serb.

Çështja e targave ngriti tensionet midis Kosovës dhe Serbisë dhe Serbia kreu manovra ushtarake pranë kufirit me Kosovën fundjavën e kaluar, ndërsa aeroplanët ushtarakë serbë fluturuan mbi zonën kufitare, ndërsa në Zubin Potok u dogj Qendra për Regjistrimin e Automjeteve me bomba dore.

Këto u bënë arsye që përfaqësuesit e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) kërkuan nga Prishtina dhe Beogradi zyrtar një marrëveshje për uljen e tensioneve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se janë duke u angazhuar për reciprocitet të plotë me Serbinë, në mënyrë që të ketë drejtësi karshi raporteve të Kosovës me Serbinë. Sipas Kurtit, në kuadër të reciprocitetit të plotë, duhet të vijë edhe njohja reciproke e shtetësisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kategoritë
LajmeVendi