S’jam vrasës, por mos më detyroni! Tatuazhi paralajmërues i Aldi Ramës në krah, çfarë gjeti policia në vendin e ngjarjes

Aldi Rama, 21-vjeçari që vrau me një plumb në zemër efektivin e policisë Saimir Hoxha dje në Lezhë, ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në spitalin e Traumës si pasojë e plagës së marrë në kokë. 21-vjeçari ka qëlluar veten me pistoletë në kokë duke shkaktuar një plagë të parikuperueshme në tru.

Policia e gjeti atë me shenja jete duke e nisur urgjentisht fillimisht në spitalin e Lezhës dhe më pas në Tiranë, por mjekët nuk munden të bënin asgjë.

Rama njihej si person problematik dhe pavarësisht moshës së re mbante një mori veprash penale mbi vete. I dënuar për drogë dhe armëmbajtje pa leje, Rama duhej të ishte në burg, porn ë maj 2021 është nxjerrë nga qelia duke u lënë vetëm me masën e sigurisë “Shërbim Prove”.

Ai nuk e fshihte jetën që bënte duke nxjerrë në rrjetet sociale foto me armë, ndërsa e kishte mbuluar trupin me tatuazhe që mbartnin mesazhe të fortë, shkruan abcnews.al.

Pas mbikëqyrjes së trupit, policia i gjeti atij në krahun e majtë një tatuazh që ndoshta shpjegon edhe agresivitetin e papritur të tij ndaj policisë dje.

Në tatuazh shkruhet: Unë nuk jam një vrasës, por mos më detyroni të bëhem!

Rama ekzekutoi dje në mëngjes nënkomisarin Saimir Hoxha gjatë një kontrolli që policia po kryente në makinën ku ai udhëtonte me dy persona të tjerë. Pas krimit, ai mori makinën dhe u largua disa metra nga vendi i ngjarjes për t’u fshehur më pas në zonën e pyllëzuar në Ishull Lezhë.

Pas kërkimeve që zgjatën disa orë, policia e lokalizoi Ramën duke i bërë thirrje që të dorëzohej, por i riu qëlloi veten në pjesën e djathtë të kokës, sipër veshit, duke humbur edhe jetën pak orë më pas në spital. /abcnews.al

Kategoritë
LajmeRajoni