S’ka liberalizim, rreshti i “përhershëm” i pritjes së kosovarëve për viza gjermane

Interesimi i qytetarëve të Kosovës për t’u pajisur me vizë gjermane po vazhdon të jetë i madh.

Edhe sot, para Ambasadës që ka më së shumti kërkesa për t’u pajisur me viza kishte radhë të gjatë të qytetarëve.
Përveç pritjes për dorëzimin e dokumentacioneve, ata po presin me muaj edhe për caktimin e terminit.

Qytetari Agim Dërmaku, në ambasadë kishte ardhur për ta shoqëruar tezen dhe axhën për të aplikuar për vizë.

Ai thotë se ata kanë aplikuar për vizë rreth dy muaj më parë.

Dërmaku thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë sa më parë, ngase pritjet para ambasadave janë shumë të gjata.

“Kemi ardhur me apliku, axha dhe tezja për vizë turistike, kanë aplikuar para dy muajve , pritjet janë të gjata. Këto janë viza për vizita familjare, me pritë 3 muaj apo 4 muaj janë shumë, kërkesa ka shumë liberalizimi i vizave s’po them po më së paru në rajon me ndodh të na, kjo punë zgjat nuk e di ku po qëndron faji të qeveria apo të shtetet e BE-së që po i vendosin pengesa”, tha ai për Front Online.

E nga pritja nuk u kursye as Naim Hoxha, i cili po e shoqëronte bashkëshorten e tij.

Ai thotë se për të aplikuar për vizë kanë pritur tri javë dhe kanë pasur edhe shumë shpenzime.

“Kemi ardhur me apliku për vizë familjare për bashkëshorten, kemi prit tri javë, na merr shumë kohë pse me prit 3 javë për një vizë kemi pas edhe shpenzime, mendoj se liberalizimi duhet të ndodh”, thotë ai për Front Online.

Për liberalizimin e vizave për Kosovën, ka folur dje edhe emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ai tha se BE-ja duhet të mbajë premtimin për liberalizim të vizave për Kosovën.

Se Be-ja duhet ta mbaj premtimin për liberalizimin e vizave për Kosovën e thotë edhe Ish-ministri gjerman për Evropën në qeverinë federale, Michael Roth.

“I nderuar Miroslav Lajcak, faleminderit për vizitën dhe punën tuaj. Shtetet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Evropës dhe meritojnë më shumë se vetëm fjalë. BE-ja duhet t’i mbajë premtimet e veta: Të fillojë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, liberalizimin e vizave për Kosovën. Demokracia dhe rendi e ligji janë të rëndësishme”, ka shkruar Roth.

Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, vetëm në dhjetor të vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti, mbi 100,000 qytetarë kanë aplikuar për vizë pune në Ambasadën e Gjermanisë.

Në muajin janar, Qeveria gjermane njoftoi se do të hapë 300,000 vende të punës për të huajt.

“Me qëllim që të shmanget mungesa e punëtorëve, në Gjermani duhet të ndodhë një migrim i shkallës së gjerë”, tha zëvendëskancelari gjerman, Robert Habeck.

Se qytetarët do të vazhdojnë të presin ende para ambasadave për tu pajisur me viza e thotë edhe Kryeministri Kurti.

Ai thotë se rëndi para Ambasadave do të ekzistojë gjithmonë.

Premtimi për liberalizim ka vjet që i është dhënë kosovarëve. Së fundmi, ishte votimi i demarkacionit me Malin e Zi në vitin 2018 që u konsiderua kriteri i fundit i përmbushur për liberalizimin.

Front Online ka dërguar pyetje në Ambasadën Gjermane për të parë se sa ka qenë numri i aplikimeve dhe vizave në këtë fillimvit, por deri në publikimin e artikullit ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Kategoritë
LajmeVendi