Skandal/ Izraeli përgjon qeveritë në 50 vende, nga zyrtarët e lartë te gazetarët

Rreth 50,000 numra telefoni nga më shumë se 50 vende te botës janë përgjuar nga një kompani izraelite.

Sipas informacioneve, mes tyre janë edhe 37 telefona inteligjent që u përkasin gazetarëve, zyrtarëve qeveritarë dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut.

“The Washington Post”, ka deklaruar se “Pegasus” i licensuar nga “NSO Group” me bazë në Izrael gjithashtu u përdor për të shënjestruar telefonat që u përkisnin gruas dhe gazetarit kritik Jamal Khashoggi, i vrarë në konsullatën saudite në Turqi në 2018.

“The Guardian” është shprehur se pas një hetimi të detajuar është vënë re një abuzim i vazhdueshëm që “NSO Group” ka bërë për një kohë shumë të gjatë duke mundësuar nxjerrjen e mesazheve, fotove dhe postave elektronike dhe regjistron thirrjet.

“NSO” mohon çdo përfshirje. Kompania izraelite ka deklaruar se e gjitha kjo përdorej kundër kriminelëve dhe terroristëve dhe u vihej në dispozicion vetëm agjencive ushtarake, të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës nga vendet me të dhëna të mira për të drejtat e njeriut.

“Amnesty International” dhe “Tregimet e Ndaluara”, një organizatë mediatike jo-fitimprurëse me bazë në Paris, fillimisht kishin qasje në listën e telefonave, të cilën ata më pas e ndanë me organizata mediatike nga e gjithë bota.

Ato përfshinin disa anëtarë të familjes mbretërore arabe, të paktën 65 drejtues biznesi, 85 aktivistë të të drejtave të njeriut, 189 gazetarë dhe më shumë se 600 politikanë dhe zyrtarë qeveritarë përfshirë disa krerë shtetesh dhe kryeministra.

Ekzaminimi nuk ishte në gjendje të zbulonte se çfarë ishte mbledhur. Por potenciali ishte i madh: Pegasus mund të mbledhë postë elektronike, rekorde thirrjesh, postime në media sociale, fjalëkalime përdoruesish, lista kontakti, fotografi, video, regjistrime zanore dhe histori shfletimi, sipas studiuesve të sigurisë dhe materialeve të marketingut të NSO.

Këto lloj sulmesh “me klikim zero”, siç quhen brenda industrisë së mbikëqyrjes, mund të funksionojnë edhe në gjeneratat më të reja të iPhone, pas viteve të përpjekjeve në të cilat Apple u përpoq të mbyllte derën kundër mbikëqyrjes së paautorizuar – dhe ndërtoi fushata marketingu në pohimet se ofron privatësi dhe siguri më të mirë se rivalët./ Panorama/

Kategoritë
BotaLajme