Sllovakia do ta blejë me rubla gazin rus

Ministri sllovak i Ekonomisë, Richard Sulik tha se vendi i tij do të paguante për gazin rus në rubla nëse kjo do të ishte e nevojshme për të mos e ndërprerë furnizimin me gaz.

Sulik e tha këtë gjatë një interviste për televizionin kombëtar.

“Nëse ka një kusht për ta bërë pagesën në rubla, atëherë ne paguajmë në rubla,” tha ai.

Ministri theksoi se importet ruse përbëjnë rreth 85 për qind të të gjitha furnizimeve me gaz në Sllovaki dhe për këtë arsye autoritetet e vendit do të mbeten pragmatike në këtë drejtim.

Sulik i kërkoi pjesës tjetër të Evropës të gjente një zgjidhje të përbashkët.

“Ne nuk mund të heqim dorë nga gazi”,- theksoi ai.

Në një linjë me disa politikanë të tjerë evropianë, edhe ministri sllovak i Ekonomisë u shpreh se furnizuesit duhet të diversifikohen, por për këtë mund të duhen vite, ndërsa ata kanë vetëm dy muaj kohë për të zgjidhur problemin aktual të blerjes së karburanteve.

Javën e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret të ri, që prezantonte mekanizmin e pagesës së gazit në rubla.

Kategoritë
BotaLajme