Spanja vendos ta ekstradojë në SHBA ish-shefin e inteligjencës së Venezuelës

Hugo Armando Carvajal Barrios kërkohet në SHBA nën akuzat për trafik droge, armë dhe narkoterrorizëm

Gjykata Kombëtare e Spanjës vendosi për të ekstraduar ish-kreun e inteligjencës ushtarake të Venezuelës në SHBA, ku ai kërkohet nën akuzat për trafik droge, armë dhe narkoterrorizëm, transmeton Anadolu Agency (AA).

Hugo Armando Carvajal Barrios, me nofkën El Pollo (Pula), shërbeu si shef inteligjence nën Hugo Chavez-in dhe Nicolas Maduro-n për disa vjet. Ai ishte gjithashtu politikan, diplomat dhe gjeneral i lartë në ushtrinë venezuelase.

Carvajal u arrestua në Madrid muajin e kaluar. SHBA-ja e akuzon atë për pjesëmarrje në aktivitete të trafikut të drogës në shkallë të gjerë si zyrtar i qeverisë venezuelase, përfshirë 5,6 tonë ngarkesë kokainë.

Në SHBA, ai përballet me akuza, përfshirë pjesëmarrjen në një komplot narkoterrorizmi, që mund të rezultojë në burgimin e tij të përjetshëm.

Vendimi për ekstradimin e Carvajal-it vjen pasi Ministria e Brendshme e Spanjës refuzoi kërkesën e tij për azil politik. Ai ende mund të jetë në gjendje ta apelojë vendimin.

Në vitin 2019, ai u nda në mënyrë dramatike me qeverinë e Maduro-s, duke e akuzuar atë për korrupsion, autoritarizëm dhe trafik droge. Ai gjithashtu doli në mbështetje të udhëheqësit të opozitës Juan Guido.

Maduro më pas dëboi Carvajal-in nga forcat e armatosura dhe e akuzoi atë për tradhti.

Carvajal ishte arrestuar tashmë në vitin 2019 në Spanjë, por gjykata hodhi poshtë kërkesën e SHBA-së për ekstradim. Vendimi u apelua me sukses, por Carvajal u zhduk derisa policia e gjeti atë në shtator.

Që nga arrestimi i tij, ai thuhet se është përpjekur të ndalojë ekstradimin e tij duke tregtuar “informacione të ndjeshme” me zyrtarët spanjollë dhe duke ofruar të bëhej dëshmitar.

Në përpjekjen e fundit, ai deklaroi para një gjykatësi spanjoll se regjimi venezuelas ka financuar lëvizjet politike të krahut të majtë në gjithë botën gjatë 15 viteve të fundit. Këto përfshijnë Lula de Silva-n në Brazil, Nestor Kirchner-in në Argjentinë, Evo Moralesin në Bolivi, Podemos në Spanjë dhe Lëvizjen Pesë Yje të Italisë.

Edhe pse nuk ishte e mjaftueshme për t’i siguruar atij statusin e dëshmitarit të mbrojtur, një gjykatë spanjolle rihapi një rast në lidhje me financimin e parregullt të Podemos këtë javë

Kategoritë
BotaLajme