Spanjë, punonjësit e xhandarmërisë në protestë për zgjerimin e të drejtave sociale

Punonjësit e xhandarmërisë u mblodhën në sheshin “Sol” duke kërkuar që të drejtat e tyre sociale dhe ekonomike të jenë të barabarta me punonjësit e policisë

Punëtorët dhe punonjësit e xhandarmërisë të lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes në Spanjë, protestuan në mbarë vendin me kërkesën për përmirësimin e të drejtave të tyre sociale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në kryeqytetin Madrid ku protestat janë më intensive, punonjësit e xhandarmërisë u mblodhën në sheshin “Sol” duke kërkuar që të drejtat e tyre sociale dhe ekonomike të jenë të barabarta me punonjësit e policisë, institucionit tjetër të sigurisë në vend.

Me flamuj spanjollë në duar, punonjësit e xhandarmërisë hodhën slogane: “Kështu nuk shkohet më tej” dhe mbajtën pankarta me mbishkrimet “Orar të drejtë pune”, “Rregullore për pagat” dhe “Drejtësi për të drejtat e punës”.

Gjithashtu punonjësit e xhandarmërisë kërkuan të drejtën e organizimit gjatë orarit të punës, ndryshimin e neneve të kodit penal ushtarak që i përfshijnë ata në dënimet me burg për retorikat politike dhe të drejtën e organizimit si dhe eliminimin e mangësive për pajisjet teknike.

Në manifestin e lexuar në fund të protestës, qeverisë së koalicionit të majtë dhe partive politike të përfaqësuara në parlament iu dërgua mesazhi që të “sigurojnë drejtësi sociale dhe të eliminojnë diskriminimin ndërmjet institucioneve të sigurisë”.

Kategoritë
BotaLajme