Spitalet gjermane përballen me mungesë të personelit përballë kërcënimit nga varianti Omicron

Një sondazh zbuloi se pothuajse 60 për qind e spitaleve parashikojnë gjithashtu probleme financiare për shkak të efekteve të pandemisë së koronavirusit, pavarësisht mbështetjes qeveritare.

Spitalet e Gjermanisë po përballen me mungesë të personelit dhe probleme buxhetore teksa vendi po përgatitet për një valë masive të pestë të rasteve me koronavirus, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në raportin “Hospital Barometer 2021” thuhet se pothuajse katër në pesë spitale po përballen me mungesë të paprecedentë të personelit, duke përfshirë staf të specializuar për të punuar në njësitë e kujdesit intensiv.

Sipas studimit të kryer nga Instituti Spitalor Gjerman, rreth 14.500 vende të lira pune për infermierët dhe 8.000 pozicione të kujdesit kritik mbeten të hapura.

Sondazhi zbuloi se pothuajse 60 për qind e spitaleve parashikojnë gjithashtu probleme financiare për shkak të efekteve të pandemisë së koronavirusit, pavarësisht mbështetjes qeveritare.

Sipas raportit, shumë spitale kanë anuluar operacionet jourgjente, ndërsa vizitat e pacientëve gjithashtu kanë rënë, pasi njerëzit po shmangin vizitat në spital nga frika e infektimit me COVID-19.

Gjermania tejkaloi shifrën e 7 milionë rasteve të konfirmuara me koronavirus që nga fillimi i pandemisë vitin e kaluar.

Instituti Robert Koch raportoi 13.908 raste të reja ditore dhe 69 vdekje që ndërlidhen me koronavirusin në 24 orët e fundit.

Përderisa vala e katërt është stabilizuar në javët e fundit, autoritetet janë alarmuar nga përhapja e shpejtë e variantit Omicron në vendet fqinje.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, paralajmëroi javën e kaluar se vendi duhet të përgatitet për një valë masive të pestë të COVID-19 në fillim të muajit të ardhshëm për shkak të variantit Omicron.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të ndjekin me përpikëri masat kundër koronavirusit dhe të marrin vaksinat përforcuese për t’u mbrojtur nga varianti Omicron.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrat e shteteve federale ranë dakord për kufizime më të ashpra javën e kaluar për të frenuar përhapjen e variantit.

Sipas rregullave të reja, ngjarjet sportive në shkallë të gjerë, si ndeshjet e futbollit, do të zhvillohen pa spektatorë. Festat dhe tubimet e mëdha publike do të ndalohen në natën e Vitit të Ri. Për tubime private, do të lejohen maksimumi 10 persona të takohen brenda ose jashtë, nëse të gjithë janë të vaksinuar ose janë shëruar.

Kategoritë
BotaLajme