Spitalet në Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe Strugë të mbushur me pacientë me koronavirus

Situata në spitale mbetet e njëjtë. Spitalet në Tetovë dhe Gostivar aktualisht funksionojnë me kapacitete të mbushura, ngjashëm edhe në Kërçovë dhe Strugë, nga ku përmes një sistemi koordinimi çdo pacient që ka nevojë për shtrim në spital akomodohet dhe transportohet në Shkup.

Kështu tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Sipas të cilit për momentin ka numër të mjaftueshëm të vendeve spitalore në spitalin në Kozle ku funksionojnë me ndërrime ekip mjekësh specialistë, infektologë dhe pulmonologë. Filipçe tha se objektet e tjera shtesë janë gati, por tani për tani nuk do të ketë transformim në qendra të tjera covid, siç ishte gjatë valës së mëparshme.

“Numrat e të infektuarve të rinj janë inkurajues, ata janë në rënie. Por është shumë herët për të thënë se ky është trend. Kjo është arsyeja pse ne po monitorojmë nga afër situatën dhe të gjithë parametrat po analizohen”, tha Filipçe.

Nga sot, një pjesë e ekipit, mjekë, infermierë, vullnetarë të Kryqit të Kuq, nga disa pika në Qendrën Shëndetësore Shkup është transferuar në sallën “A1 Arena Boris Trajkovski” në mënyrë që të rrisin qasjen në vaksina për qytetarët dhe të gjithë ata që duan të vaksinohen.

“Kohët e fundit, interesi për vaksinimin e grupeve të reja të qytetarëve, nga 18 deri në 40 vjeç, po rritet ndjeshëm dhe tani ai numër është rreth 170,000 qytetarë, që sipas analizës është 26% e popullsisë së përgjithshme në ato grupmosha. Mesatarisht, rreth 10.000 qytetarë vaksinohen çdo ditë, dhe gati 700.000 mbulohen nga doza e parë, nga të cilat 510.000 qytetarë janë rivaksinuar”, tha Filipçe.

Ai bëri thirrje për vaksinim masiv të të rinjve dhe veçanërisht prindërve, fëmijët e të cilëve do të fillojnë të shkojnë në shkollë ose kopsht.

Kategoritë
LajmeRajoni