Spitali i Fierit për 3 vite do të administrohet bashkërisht nga Shqipëria dhe Turqia

Qeveria e Shqipërisë ka miratuar protokollin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Turqisë për bashkëpunimin e mëtejshëm në lidhje me të gjithë fazën kalimtare për spitalin në Fier.

Qeveria e Shqipërisë ka miratuar sot protokollin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Turqisë për bashkëpunimin e mëtejshëm 3-vjeçar, gjatë fazës kalimtare për administrimin e Spitalit Rajonal Memorial në Fier, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se është miratuar protokolli i bashkëpunimit mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë për bashkëpunimin e mëtejshëm në lidhje me të gjithë fazën kalimtare për spitalin në Fier.

Ajo theksoi se tashmë ky spital është një vepër e ndërtuar dhe funksionale që u shërben më shumë se 330 mijë banorëve të jugut të Shqipërisë.

“Ky akt që kemi miratuar sot i hap rrugën një bashkëveprimi 3-vjeçar me stafet e përbashkëta të cilat tashmë kanë filluar të funksionojnë në këtë model të ri të menaxhimit të këtij spitali. Ky spital publik po menaxhohet në bashkëpunim me një ekipi i cili ka ardhur nga Turqia për të transferuar dijen, teknologjinë dhe për të bërë një shembull të mirë të suksesit se si menaxhohen spitalet publike nëpërmjet formave të ndryshme të autonomisë spitalore”, tha Manastirliu.

Ajo theksoi më tej se me shërbimet e spitalit do të përfitojnë direkt qytetarët shqiptarë nëpërmjet shërbimeve shumë cilësore, por sipas saj do të përfitojë edhe sistemi shëndetësor, pasi po krijohet një model i autonomisë spitalore.

Kujtojmë se Spitali Rajonal Memorial në Fier i ndërtuar me mbështetjen financiare të Turqisë u inaugurua më 21 prill të këtij viti me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë nga Turqia dhe Shqipëria, përfshirë edhe presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, nëpërmjet videokonferencës.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Spitali Rajonal Memorial në Fier u ofron shërbim shëndetësor rreth 330 mijë banorëve të zonës së jugut dhe se gjatë 5 muajve të funksionimit të këtij spitali janë ofruar 16 lloje shërbimesh shëndetësore dhe kryer rreth 22 mijë ndërhyrje mjekësore, vizita, ekzaminime për qytetarët shqiptarë falas.

Sipas ministrisë, në këtë spital publik aktualisht janë 257 staf i përbashkët shqiptaro-turk që ofron shërbim dhe janë më shumë se 75 mjekë dhe infermierë turq, të cilët përgjatë 5 muajve të parë të funksionimit janë vendosur pranë këtij spitali.

Kategoritë
LajmeRajoni