“Spitali i Fierit që do të ndërtohet nga Turqia do të ofrojë shërbime të nivelit të lartë”

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë fjalës në seancën parlamentare folën mbi projektin e spitalit të Fierit që do të ndërtohet nga Turqia

Në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë u diskutua rreth projektit të spitalit rajonal të Fierit, i cili do të ndërtohet me mbështetjen financiare të Republikës së Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë fjalës në seancë folën mbi projektin në fjalë dhe për procesin e shpronësimit të pronarëve të pasurive të paluajtshme në tokën ku do të ndërtohet ky spital.

Ministrja Manastirliu theksoi se spitali i Fierit është projektuar si një spital i cili do të ofrojë shërbime të nivelit të lartë.

“Një spital i ri do t’i shtohet rrjetit të spitaleve tona publike. Me financimin e Republikës së Turqisë mike puna ka filluar për ndërtimin e një spitali me kapacitet 150 shtretër në Fier, i projektuar si një spital i cili do të ofrojë shërbime të nivelit të lartë për kirurgjinë, urgjencën, sëmundjet interne dhe gjithashtu një pavijon të dedikuar për sëmundjet infektive. Do të jetë i pajisur me aparaturat e fjalës së fundit të teknologjisë. Ky spital do t’u shërbejë qytetarëve shqiptarë si gjithë spitalet publike”, tha Manastirliu.

Ajo tha se spitali i Fierit do të ofrojë nëpërmjet mbështetjes së kolegëve turq ekspertizë dhe transferim të teknologjisë dhe dijes.

“Puna ka filluar dhe me ritme të shpejta po ndërtohet për t’u finalizuar sipas afatit të vendosur”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Ministrja Balluku tha se spitali i Fierit do të jetë një investim i qenësishëm i cili parashikon sipas saj të ketë një vlerë 60 milionë euro.

“Sikurse dhe kryeministri Rama ka theksuar, spitali rajonal i Fierit do të jetë një spital publik, pjesë e rrjetit të spitaleve të Republikës së Shqipërisë. Republika e Turqisë do të mbështesë spitalin e Fierit me personel mjekësor, ekspertizë dhe teknologji, duke kontribuar kështu në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve njerëzore si dhe aplikimin e praktikave dhe standardeve më të mira në shëndetësi”, tha Balluku .

Ajo theksoi se spitali po bëhet realitet pasi kantieri në Fier është hapur më 23 janar dhe shtoi se e gjithë procedura përgatitore ka nisur prej ditësh.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me Agjencinë Shtetërore për Shpronësimin dhe Bashkinë e Fierit ka përmbyllur procedurat paraprake të shpronësimit të 12 familjeve mbi pronat e të cilave po ndërtohet ky spital. Janë nënshkruar të gjitha marrëveshjet me banorët për angazhimin e ndërsjellë. Përmes dakordësisë së shprehur me firmosjen e marrëveshjes, banorët kanë marrë përsipër mospengimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e spitalit rajonal të Fierit mbi tokën e tyre”, theksoi Balluku.

Në fund të seancës, Kuvendi i Shqipërisë miratoi edhe aktin normativ të Qeverisë së Shqipërisë “Për autorizimin e Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin për negocimin e afatit të shpronësimit të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të nevojshme për ndërtimin e spitalit të Fierit”.

Marrëveshja me pronarët e tokës ku do të ndërtohet spitali i Fierit përcakton të drejtën e përdorimit menjëherë të pasurisë së paluajtshme, para përfundimit të procedurës së shpronësimit.

Kujtojmë se ndërtimin e një spitali në Fier e premtoi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë vizitës së kryeministrit Rama në Turqi.

Disa ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se në kantierin e spitalit rajonal në Fier “do të punohet me tre turne dhe do të angazhohen në procesin e ndërtimit brenda 3 muajsh 1.200 forca pune”.

Kategoritë
BotaLajme