Spitali i Pejës nis projektin “Direkt me Doktorin”

Spitali i Përgjithshëm në Pejë me synimin që të jetë sa më afër pacientëve gjatë kësaj kohe të ballafaqimit me pandeminë e Koronavirusit, dhe me qëllimin që qytetarëve tu jepen sa më shumë këshilla shëndetësore pa pasur nevojë që të dalin nga shtëpitë e tyre, fillon të realizojë projektin e emërtuar “Direkt me Doktorin” në kuadër të cilit mjeku specialist do t’u përgjigjet direkt pyetjeve të pacientëve në faqen zyrtare të Spitalit në Facebook.

Sipas spitalit, projekti fillon nga dita e nesërme, nga ora 9:00, ku mjeku i parë që do të jetë live në Facebook me pacientët është infektologu, Zenel Shatri.

“Është zgjedhur qëllimisht Facebooku si mënyrë e komunikimit me qëllim që sa më lehtë të mund të kenë qasje pacientët apo qytetarët të cilët pyetjet mund ti drejtohen me shkrim gjatë transmetimit Live në Facebook apo përmes SMS në numrin e telefonit: 045/126111. Orari i kësaj jave për komunikim online me Doktorin është: Të martën 31.03.2020 ora 9 Dr.Zenel Shatri – Infektolog, të mërkurën 1.04.2020 ora 9 Dr.,Muhamet Haliti – Psikiatër, të enjten 2.04.2020 ora 9 Dr. Fahri Hasani – Pulmolog, të premten 3.04.2020 ora 9 Dr. Sali Shala Internist – Kardiolog. Gjatë javës tjetër do të vazhdohet me Mjek të tjerë Specialist. Mediat lokale të Rajonit të Pejës janë ftuar dhe janë të mirëseardhura që ti bashkëngjiten këtij projekti në mënyrën që ata shohin interes përmes transmetimit në Radio, Tv apo Facebook”, thuhet në komunikatë.

Kategoritë
LajmeVendi