Spiuni izraelit rrëfen rrethanat e arrestimit të tij në SHBA

Jonathan Pollard zbuloi gjithashtu se roja e sigurimit të Ambasadës Izraelite në SHBA i kërkoi atij të largohej nga ambasada ndërsa 20 oficerë të FBI-së po prisnin ta arrestonin atë jashtë.

Jonathan Pollard, i liruar së fundmi nga një burg amerikan për spiunazh për Izraelin, rrëfeu për herë të parë rrethanat e arrestimit të tij në SHBA.

Në intervistën e tij ekskluzive për të përditshmen “Israel Hayom” që do të publikohet të premten, Pollard tha se SHBA “goditi Izraelin me thikë pas shpine” kur nuk ndau informacione të inteligjencs.

Natën e arrestimit, Pollard kishte për qëllim të linte të largohej nga SHBA një oficer të inteligjencës izraelite, Aviem Sella, i cili ishte në kontakt me të, para se të arrestohej pasi nuk kishte imunitet diplomatik.

Pollard tha se pasi u arrestua, ai përdori fjalë të koduara me gruan e tij të atëhershme, Anne, për t’ia bërë të ditur asaj që të largohej nga SHBA, duke i thënë asaj në një telefonatë që të “ujitë kaktusin”.

Në intervistë, Pollard për kapjen e tij fajësoi inteligjencën izraelite, veçanërisht oficerin Rafi Eitan, pasi ata kurrë nuk e trajnuan atë dhe nuk kishte asnjë plan shpëtimi.

Pollard zbuloi gjithashtu se roja e sigurimit të Ambasadës Izraelite në SHBA i kërkoi atij të largohej nga ambasada ndërsa 20 oficerë të FBI-së po prisnin ta arrestonin atë jashtë. “Më vjen keq, duhet të largohesh”, i tha roja Pollard-it.

Pollard, megjithatë, nuk shprehu keqardhje për atë që bëri ndërsa tha se Izraeli po përballej me kërcënime serioze, duke shtuar: “Unë e di që kalova një kufi, por nuk kisha zgjidhje”.

Pollard u arrestua në vitin 1985, ndërsa në vitin 1987 u dënua me burg të përjetshëm pasi u shpall fajtor se i ka shitur Izraelit sekrete ushtarake teksa punonte në Pentagon në vitet 1980 si një analist i inteligjencës civile për marinën amerikane.

Në vitin 2015, ai u la i lirë, por u vu në arrest shtëpiak dhe nuk u lejua të largohej nga shtëpia e tij në New York.

Sipas rregullave amerikane, kufizimet hiqen pas pesë vjetësh, periudhë e cila për Pollard-in përfundoi në nëntor të vitit të kaluar.

Më herët, presidentët e SHBA-së refuzuan kërkesat e përsëritura nga Izraeli për ta liruar Pollard-in, por ish presidenti Donald Trump e liroi dhe i lejoi atij të largohej nga SHBA.

Kategoritë
BotaLajme