Stadiumi plot dhe maskat jo të detyrueshme, Budapesti gati për Euro 2020

Flamujt valëviten dhe fusha është gati. UEFA ka shitur biletat e fundit, dhe shkallët e stadiumit do të jenë plot gjatë ndeshjeve të Euro 2020, që do të luhen në Budapest. Sepse “Puskas Arena” do të jetë i vetmi impiant i turneut që do të ketë një kapacitet prej 100 për qind. 65 mijë persona do të jenë në tribunë për katër ndeshjet që do luhen në tokën hungareze.

Dhe pse do të përdoret xhel dizinfektues për duart dhe termometër në hyrje, tifozët që kanë një certifikatë imuniteti apo një tampon negativ të orëve të fundit, mund të hyjnë pa probleme. Zëdhënësi i Federatës Hungareze të Futbollit u shpreh se mbajtja e maskës nuk është e detyrueshme, por e këshillueshme.

Për shkak të pandemisë, Federata Hungareze i ka kërkuar tifozëve të tërheqin biletat një ditë para ndeshjes, të planifikojnë udhëtimin në kohë, të përdorin transportin publik, dhe pa bagazhe për të shmangur radhët e gjata.

Jo shumë larg, në parkun e qytetit, pritet të mblidhen shumë njerëz. Në zonën e tifozëve – ende në ndërtim – mijëra persona mund të shohin ndeshjet në ekranet gjigante. Dhe meqenëse çdo gjë është në ambient të hapur, të pranishmit nuk do të kenë nevojë për tampon me rezultat negativ për Covid-19.

Ndeshja e parë e Hungarisë në Euro 2020 do të jetë të martën e ardhshme, ku kombëtarja pret Portugalinë, kampionen në fuqi të turneut.

Kategoritë
Sport