Stamboll, hapet ekspozita e konkursit të fotografisë “Instanbul Photo Awards”

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i AA-së, Oğuz Enis Peru, tha se Istanbul Photo Awards është projekt vjetor “që synon të njohë përpjekjet e fotografëve të shquar”

Ekspozita e tretë këtë vit e Istanbul Photo Awards, konkursit ndërkombëtar të fotografisë të realizuar nga Anadolu Agency (AA) në mbështetje të fotogazetarisë, u hap për vizitorët sot.

Fotografitë e shpërblyera të konkursit do të prezantohen në Muzeun e Energjisë Santralistanbul të Kampusit të Universitetit Bilgi deri më 10 dhjetor.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i AA-së, Oğuz Enis Peru, fjalën e hapjes e filloi me fotografinë më të mirë të këtij viti, të realizuar nga fotografi nga Bangladeshi Mohammed Shajahan gjatë pandemisë së koronavirusit.

Fotografia e shkrepur nga Shajahan, tha Peru, “përmbledh luftën kundër koronavirusit që nga viti 2019 me këtë kornizë të vetme, duke na bërë të ndiejmë historinë që mijëra fjalë përpiqen të tregojnë”.

Ai shtoi se Istanbul Photo Awards është projekt vjetor “që synon të njohë përpjekjet e fotografëve të shquar”.

Duke vënë në dukje se Istanbul Photo Awards 2021 shënoi edicionin e shtatë të kësaj gare, Peru tha se ndikimi mbarëbotëror i konkursit bëhet më i madh çdo vit që kalon.

Fotografë nga 96 kombësi të ndryshme morën pjesë në konkurs këtë vit me rreth 15.000 fotografi të dorëzuara, shtoi ai.

– Fituesi i çmimit të tretë: Adam Pretty

Adam Pretty, fotoreporter në Getty Images dhe fitues i çmimit të tretë në kategorinë fotografive teke në fushën e sportit këtë vit, ishte gjithashtu i pranishëm në ceremoninë e hapjes, duke thënë se ishte një “nder dhe privilegj i madh” të vinte në Stamboll për herë të parë pas 17 vitesh.

“Mendoj se Istanbul Photo Awards janë çmime fantastike të fotografisë”, tha ai për AA.

“Nëse mund ta përhapësh fjalën për fotogazetarinë në gjithë botën, në vende, kultura të ndryshme, mendoj se është një gjë vërtet pozitive”, shtoi Pretty.

Ai nënvizoi se ngjarja është “një nga çmimet që është me të vërtetë prestigjioze dhe shumë e vlerësuar. Ekspozita, libri që ata botojnë, e gjithë kjo ndihmon dhe është bërë në një mënyrë shumë të mirë”, shtoi ai.

Të shpërblehesh për punën dhe të ekspozosh fotografitë nëpër botë është një “gjë pozitive”, tha Pretty.

“Unë mendoj se si një tregimtar, kjo është diçka që unë dua të bëj. Është qëllimi kryesor prapa asaj që përpiqem të bëj”, theksoi ai.

Lidhur me rëndësinë e gazetarisë sportive gjatë pandemisë, ai tha: “Veçanërisht në dy vitet e fundit me gjithë pandeminë COVID, sporti luajti një rol vërtet të madh për t’i ndihmuar njerëzit për ta kaluar atë”.

“Shpresojmë që kjo është historia pas fotografisë sime gjithashtu”, tha ai, duke folur për fotografinë e shpërblyer të tij, të titulluar “Log Pile Bouldering” të një atleti në Gjermani.

Në ekspozitën në Stamboll po shfaqet një përzgjedhje e veçantë e fotografive që shfaqin ngjarje që shënuan vitin e kaluar, nga skenat e dhimbshme të pandemisë COVID-19 deri te shpërthimi në Bejrut dhe Kampionati Botëror Superbike.

Fotografitë fituese u ekspozuan më parë në Qendrën e Arteve CerModern në kryeqytetin turk Ankara dhe selinë e OKB-së në New York në tetor.

Rreth 15.000 fotografi nga e gjithë bota konkurruan në konkurs dhe 14 fotoreporterë të 12 kombësive u shpërblyen në kategoritë Lajm Tek, Sport Tek, Lajm Seri, Sport Seri, Jetesë Seri dhe Portret Seri.

Istanbul Photo Awards sponsorizohet zyrtarisht nga kompania ajrore Turkish Airlines dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), ndërsa ekspozita e Stambollit u organizua nga Universiteti Bilgi.

Datat e aplikimeve për vitin 2022, edicionin e tetë i konkursit, do të shpallen në javët në vijim, dhe më shumë informacion mbi garën dhe fotografitë fituese të çmimeve mund të gjenden në faqen e internetit www.istanbulphotoawards.com.

Kategoritë
BotaLajme