Stamboll, mijëra besimtarë falën namazin e Kurban Bajramit në Ajasofje

Ky është namazi i dytë i Kurban Bajramit që nga hapja e Ajasofjes më 24 korrik të vitit të kaluar.

Mijëra besimtarë falën namazin e Kurban Bajramit në Xhaminë Ajasofja të Stambollit, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky është namazi i dytë i Kurban Bajramit që nga hapja e Ajasofjes më 24 korrik të vitit të kaluar.

Ajasofja shërbeu si kishë për 916 vjet, deri në pushtimin e Stambollit, ndërsa ajo kishte statusin e xhamisë nga viti 1453 deri më 1934, kur mori statusin e muzeut.

Më 10 korrik të vitit të kaluar, një gjykatë turke anuloi vendimin e ish-qeverisë së vendit, i cili Ajasofjes i dha statusin e muzeut më 24 nëntor 1934. Duke anuluar vendimin në fjalë, Ajasofjes iu kthye statusi i xhamisë.

Si një nga destinacionet turistike më të vizituara në qytetin e Bosforit, Ajasofja është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1985.

Autoritetet turke kanë njoftuar se ata do të vazhdojnë të ruajnë vlerat kulturore dhe historike të Ajasofjes ashtu që Drejtoria për Çështjet Fetare të Turqisë do të jetë përgjegjëse për ceremonitë fetare ndërsa Ministria e Kulturës dhe Turizmit do të kujdeset për restaurimin, konservimin dhe mbrojtjen.

Turistët do të jenë akoma në gjendje të vizitojnë Ajasofjen pa pagesë ndërsa afresket në mure do të mbulohen me perde vetëm gjatë namazeve në xhami.

Kategoritë
BotaLajme