Stambolli nikoqir i derbit më të madh në Turqi, Fenerbahçe-Galatasaray

Kryesuesi i tabelës Fenerbahçe dhe Galatasaray që radhitet në vendin e dytë do të përballen në stadiumin “Ulker” në garën për të fituar titullin e kampionit.

Fansat në Turqi janë të ngazëllyer se do të dëshmojnë një nga derbit më të mëdhenj të futbollit turk këtë fundjavë pasi skuadra fituese do të arrijë epërsinë në garën për titull, shkruan Anadolu Agency (AA).

Në ndeshjen më të pritur të javës së 24, kryesuesit e tabelës Fenerbahçe do të presin nënkampionin Galatasaray në stadiumin “Ulker” të shtunën, në ndeshjen e cila do të fillojë në orën 16:00 sipas kohës lokale.

“Verdhë e kaltërtit” u angazhuan në mënyrë aktive të forcojnë skuadrën e tyre gjatë afatit kalimtar dimëror në përpjekje për t’u bërë një skuadër serioze për fitoren e titullit, të cilën për herë të fundit e arritën në vitin 2014.

Duke fituar 8 nga 9 ndeshjet e fundit të kampionatit, Fenerbahçe tregoi një formë mbresëlënëse javët e fundit, duke grumbulluar 48 pikë në 22 ndeshje për të kryesuar Superligën Turke.

Klubi përmbylli një nga transferimet më të bujshme në futbollin turk pasi solli në radhët e saj fituesin e Kupës së Botës FIFA 2014, Mesut Özil nga Arsenali në një transferim falas.

Özil është paraparë të luajë derbin e tij të parë në Stamboll kundër Galatasaray-it.

Fenerbahçe gjithashtu bleu Irfan Can Kahveci nga Medipol Başakşehir për të forcuar pozitën e skuadrës në mesfushë.

Galatasaray dhe Fenerbahçe ishin në një garë për të sjellë në radhët e tyre Kahveci, por ai preferoi të luante në anën aziatike të Stambollit për pjesën tjetër të karrierës së tij.

Galatasaray siguroi 4 fitore të njëpasnjëshme në kampionat përpara derbit

Pasi fituan 4 ndeshje radhazi në ligë, “Luanët” u ngjitën në vendin e dytë me 45 pikë në Super Ligë, 3 pikë më pak nga kryesuesi i tabelës.

Ata sollën 5 lojtarë të tjerë në ekipin e tyre të parë gjatë afatit kalimtar dimëror për të mbajtur shpresat në garën për titull: Henry Onyekuru, DeAndre Yedlin, Gedson Fernandes, Mostafa Mohamed dhe Halil Dervisoglu.

Fernando Muslera do të jetë lojtari kryesor për Galatasaray-in pasi ai do të luajë ndeshjen e tij të 23-të kundër Fenerbahçes që nga viti 2011, duke u bërë lojtari me më së shumti paraqitje në skuadrën aktuale.

Fenerbahçe dominon ndeshjet derbi

Nga 393 përballjet midis dy gjigantëve të Stambollit, Fenerbahçe dominon me 147 fitore përkundër 123 fitoreve të Galatasaray-it, ndërsa 123 ndeshje të tjera përfunduan baraz.

“Verdhë e kaltërtit” gjithashtu kryesojnë edhe për nga numri i golave, pasi shënuan 513 gola kundrejt 463 të Galatasaray-it.

Në 127 ndeshje të Super Ligës, Galatasaray korri 34 fitore, Fenerbahçe 50 ndërsa 43 ndeshje përfunduan baraz.

“Luanët” mposhtën Fenerbahçen në Kadikoy pas 2 dekadash vitin e kaluar

Galatasaray shënoi një fitore vendimtare 3:1 kundër Fenerbahçes më 23 shkurt të vitit 2020, duke thyer akullin prej më shumë se 20-vjet pa fitore në derbin ndërkontinental.

“Luanët” nuk arritën të shënonin fitore si mysafir ndaj “Verdhë kaltërve” për 23 ndeshje deri në ballafaqimin në fjalë, pasi fitorja e tyre e fundit ishte më 22 dhjetor të vitit 1999, me rezultatin 2:1.

Derbi i fundit mes dy rivalëve përfundoi me barazim pa gola në stadiumin “Turk Telekom” të Galatasaray-it.

Megjithatë, “luanët” dominuan ndeshjet e kaluara derbi nën drejtimin e trajnerit turk, Fatih Terim.

Në 32 ndeshjet e fundit ndaj Fenerbahçes, “verdhë e kuqtë” shënuan 11 fitore, 9 humbje dhe 12 barazime.

Yjet që mungojnë

Pesë lojtarë të Galatasaray-it nuk do të luajnë në ndeshjen derbi.

Mesfushori algjerian, Sofiane Feghouli, mbrojtësi norvegjez Omar Elabdellaoui si dhe Ogulcan Caglayan, Sener Ozbayrakli dhe Emre Tasdemir nuk do të luajnë për ekipin e tyre për shkak të lëndimeve.

Fenerbahçe do të presë Galatasaray-in, gjithashtu pa disa nga lojtarët e saj kryesorë.

Mbrojtësi brazilian i dëmtuar, Luiz Gustavo, mesfushori grek Dimitrios Pelkas, anësori italian Diego Perotti, mbrojtësi kongolez Marcel Tisserand dhe lojtari i ri Irfan Can Kahveci nuk pritet të luajnë në ndeshjen e së shtunës kundër Galatasaray-it.

Në fund të javës së 23-të, Fenerbahçe është në krye të Super Ligës me 48 pikë ndërsa Galatasaray është në vendin e dytë me 45 pikë.

Java e 24-të:

E shtunë:

Kasimpasa – Atakas Hatayspor

Aytemiz Alanyaspor – Caykur Rizespor

Medipol Basaksehir – Fatih Karagumruk

Fenerbahçe – Galatasaray

E diel:

Buyuksehir Belediye Erzurumspor – Hes Kablo Kayserispor

MKE Ankaragucu – Demir Grup Sivasspor

Yukatel Denizlispor – Fraport TAV Antalyaspor

Besiktas – Ittifak Holding Konyaspor

E hënë:

Gaziantep FK – Goztepe

Yeni Malatyaspor – Trabzonspor

Kategoritë
Sport